ELBASAN-CËRRIK ,15 gusht 2026/Albania Express News/-Është rikthyer normaliteti në qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, pas ndërhyrjes së ekipeve të Agjencisë së Shërbimeve Publike Rurale (ASHPR), të cilat u angazhuan për disa orë në terren pas një situate emergjente të krijuar nga çarja e kanalit vaditës “Naum Panxhi”.
Ngjarja u shënua rreth orës 11:00 të ditës së shtunë, kur një çarje e papritur në kanalin kryesor shkaktoi vërshimin e ujërave dhe inerteve në drejtim të aksit rrugor. Si pasojë, qarkullimi i automjeteve u bllokua përkohësisht, ndërsa u krijua nevoja për ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Menjëherë pas sinjalizimit për problematikën, ekipet e ASHPR-së zbritën në terren me mjetet dhe kapacitetet e nevojshme për pastrimin e rrugës dhe largimin e inerteve. Punonjësit dhe mjetet e rënda u angazhuan me kapacitet të plotë, duke bërë të mundur hapjen e rrugës dhe rikthimin gradual të qarkullimit.
Gjatë ndërhyrjes, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, u organizua edhe devijimi i përkohshëm i trafikut në akse alternative. Kjo masë synoi shmangien e bllokimeve dhe garantimin e sigurisë së drejtuesve të automjeteve dhe udhëtarëve.
Paralelisht me pastrimin e aksit rrugor, u hapën edhe kanalet dytësore vaditëse, me qëllim lehtësimin e rrjedhjes së ujit dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në sipërfaqet përreth.
Që prej momentit të parë të emergjencës është mbajtur komunikim i vazhdueshëm mes ASHPR-së, kompanisë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës dhe Bordit të Kullimit, në përpjekje për të koordinuar ndërhyrjet dhe për të stabilizuar situatën.
Kanali kryesor “Naum Panxhi”, i cili është pjesë e inventarit të Bordit të Kullimit, ka një rol të rëndësishëm për sektorin bujqësor të zonës. Përmes këtij kanali sigurohet ujë për vaditjen e rreth 300 hektarëve tokë bujqësore në Bashkinë Elbasan dhe 1000 hektarëve në Bashkinë Cërrik.
Pas përfundimit të ndërhyrjeve, aksi Elbasan-Cërrik është aktualisht i hapur dhe i kalueshëm normalisht për automjetet.
Ndërkohë, ekipet e ASHPR-së, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit, do të vijojnë monitorimin në terren deri në stabilizimin e plotë të rrjetit vaditës dhe eliminimin e çdo rreziku për përsëritjen e situatës.

