Revista britanike “HELLO!”: Shqipëria, destinacioni që po tërheq gjithnjë e më shumë të famshëm

TIRANË ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën ndërkombëtare të turizmit, duke u shndërruar në një destinacion të preferuar për turistët, personazhet e njohur të muzikës dhe ekipet e produksioneve televizive.

Këtë herë, Shqipëria është në fokusin e revistës britanike “HELLO!”, e cila i kushton një artikull të veçantë mundësive që ofron vendi për turistët që kërkojnë plazhe, histori, natyrë, gastronomi dhe jetë nate, por edhe një udhëtim me kosto më të përballueshme krahasuar me disa destinacione të tjera të njohura evropiane.

Autorja dhe ekspertja e udhëtimeve, Heidi Fuller-Love, sjell në artikull përvojat e saj pas disa vizitave në Shqipëri dhe sugjeron destinacione dhe mënyra të ndryshme për ta eksploruar vendin.

Nga Dua Lipa te TOWIE, Shqipëria në radar

Artikulli nis me shembullin e këngëtares me origjinë shqiptare Dua Lipa, e cila ka ndarë me ndjekësit e saj momente nga pushimet në Shqipëri.

Në vëmendje është edhe ekipi i reality show-t britanik “The Only Way Is Essex” (TOWIE), i cili gjatë muajit qershor zhvilloi xhirime në Shqipëri.

Revista britanike përmend gjithashtu interesin e kompanisë së njohur ndërkombëtare të restoranteve dhe bareve luksoze bregdetare Nammos, me origjinë nga Mykonosi, për zgjerimin e aktivitetit edhe në Shqipëri.

Sipas artikullit, këto zhvillime janë një tjetër tregues i rritjes së interesit ndërkombëtar për Shqipërinë dhe veçanërisht për rivierën e saj.

Tirana, nga Blloku te Pazari i Medresesë

Kryeqyteti shqiptar përshkruhet si një qytet i gjallë, me një ofertë të pasur gastronomike, argëtimi dhe akomodimi.

Heidi Fuller-Love tregon se gjatë vizitave të saj ka qëndruar në Xheko Imperial, pranë zonës së Bllokut, duke e përshkruar hotelin përmes elementeve të tij elegante, drurit, veprave të artit dhe mermerit. Sipas artikullit, çmimi i një dhome ishte rreth 103 paund për natë.

Një tjetër strukturë e përmendur është The Crown, një ndërtesë rreth 100-vjeçare, për të cilën artikulli referon një histori sipas së cilës aty ka jetuar dikur motra e Mbretit Zog.

Blloku, dikur një zonë e rezervuar për elitën politike gjatë regjimit komunist, sot përshkruhet si një nga qendrat kryesore të jetës së natës në Tiranë.

Në artikull përmenden edhe vende si Radio Bar dhe Nouvelle Vague, si dhe butikët Perla dhe Pirro.

Për turistët që kërkojnë një përvojë më të përditshme dhe alternativa më ekonomike, autorja sugjeron edhe një vizitë në Pazarin e Medresesë, në zonën e rrugës “5 Maji”.

Bunkerët, dëshmi e një historie të veçantë

Një kapitull i veçantë i udhëtimit lidhet me bunkerët e ndërtuar gjatë regjimit komunist.

Artikulli përmend shifrën e rreth 750 mijë bunkerëve, të ndërtuar gjatë periudhës së regjimit të Enver Hoxhës, duke i konsideruar ato sot si një prej elementeve më të veçanta të historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë.

Në Tiranë, turistëve u sugjerohet vizita në Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, ku historia e periudhës komuniste përcillet përmes dokumenteve, fotografive dhe objekteve.

Për një eksperiencë ndryshe, artikulli përmend edhe Bunker 1944, ndërsa në Sarandë veçohet War Bunker Hostel, ku vizitorët mund të përjetojnë një formë të veçantë akomodimi në një bunker të periudhës së Luftës së Ftohtë.

Kruja, Berati dhe Gjirokastra, historia përtej bregdetit

Shqipëria nuk paraqitet vetëm si destinacion plazhesh.

Autorja rekomandon edhe qytetet historike, duke nisur me Krujën, rreth një orë larg Tiranës, me rrugicat me kalldrëm, pazarin tradicional dhe punimet artizanale.

Në jug, Berati, qyteti i mbrojtur nga UNESCO dhe i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, përshkruhet përmes shtëpive karakteristike të bardha, kalasë, monumenteve të kultit dhe muzeve.

Në fokus është edhe gastronomia shqiptare, ku veçohet tava e kosit.

Ndërsa Gjirokastra, një tjetër qytet i mbrojtur nga UNESCO, përmendet për pazarin e vjetër, kalanë dhe tunelet e periudhës së Luftës së Ftohtë.

Për t’u provuar në qytetin e gurtë sugjerohet qifqia, një prej gatimeve tradicionale karakteristike të Gjirokastrës.

Riviera Shqiptare, nga Vlora në Ksamil

Pjesën më të madhe të artikullit e zë Riviera Shqiptare, e cila përshkruhet si një nga zonat që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë.

Nga Vlora drejt jugut, deri në Ksamil, autorja veçon plazhet, ujërat e kaltër, peizazhet bregdetare dhe kombinimin mes ambienteve të qeta dhe jetës së natës.

Në artikull përmendet Drymades Inn Resort, ku, sipas autores, qëndroi ekipi i TOWIE gjatë xhirimeve në qershor.

Në jug përmendet edhe Kep Merli, ku, sipas artikullit, ka qëndruar Dua Lipa gjatë pushimeve të saj në Shqipëri.

Ksamili dhe Dhërmiu, dy pika të forta të Rivierës

Ksamili përshkruhet si një prej destinacioneve më tërheqëse të bregdetit shqiptar dhe në artikull cilësohet si “Maldivet e Evropës”, duke iu referuar rërës së bardhë, ujërave të kaltër dhe ishujve të vegjël pranë bregut.

Ndërsa Dhërmiu veçohet për kombinimin e plazheve me klubet dhe jetën e natës.

Mes tyre përmendet Havana Beach Club, i cili, sipas artikullit, është një prej vendeve të preferuara të ekipit të TOWIE.

Për turistët që kërkojnë më shumë qetësi, autorja sugjeron Nazar Beach në Palasë, duke e lidhur këtë zgjedhje edhe me preferencën e Dua Lipës për ambiente më të qeta.

Bujtinat, një tjetër mënyrë për të zbuluar Shqipërinë

Në fund të artikullit, revista britanike ndalet edhe te bujtinat shqiptare, si një mënyrë për të kombinuar akomodimin me gastronominë, natyrën dhe traditat vendase.

Një prej strukturave të veçuara është Mrizi i Zanave, i njohur për kuzhinën e bazuar në produkte vendase dhe lidhjen me traditat shqiptare.

Artikulli përmend edhe Bujtinën Kapinova, ku vizitorët mund të qëndrojnë në kabina prej druri të ndërtuara në stil alpin, pranë një pishine dhe me pamje drejt peizazhit të Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit.

Shqipëria, nga destinacion alternativ në një emër ndërkombëtar të turizmit

Artikulli i “HELLO!” e paraqet Shqipërinë si një destinacion që ndërthur bregdetin, historinë, natyrën, gastronominë, traditat dhe jetën e natës.

Vëmendja e personazheve të njohur, xhirimet e produksioneve ndërkombëtare dhe interesimi i markave të njohura turistike po i shtojnë vendit ekspozimin në tregjet ndërkombëtare.

Përtej emrave të famshëm, mesazhi kryesor i artikullit është se Shqipëria ofron një kombinim të larmishëm përvojash turistike, ndërsa për shumë udhëtarë mbetet një alternativë me kosto më të përballueshme ndaj disa prej destinacioneve tradicionale të Evropës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rama: “Paketa e Maleve”, mënyra më e mirë për zgjerimin e agroturizmeve

TIRANË ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama...

Mbështetje edhe nga politika dhe institucionet vendore për Sopotin , Balla ,Mazniku , Salla ,Disha , Muzhaqi e Komici zbresin...

LIBRAZHD ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Atmosfera sportive në...

Rama: Projektet pilot me komunitetet lokale synojnë mbrojtjen e natyrës në zonat turistike

TIRANË ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama...