Në qarkun e Elbasan vijojnë reshjet e shiut me intensitet të ulët dhe herë pas here mesatar, ndërsa deri në këto momente situata paraqitet e qetë dhe pa probleme.
Sipas informacioneve nga strukturat e Emergjencave Civile në bashkitë e qarkut, nuk raportohen situata emergjente apo problematika që lidhen me përmbytje apo bllokime rrugësh. Të gjitha akset rrugore nacionale dhe rurale janë të hapura për qarkullimin e mjeteve.
Në aksin nacional Librazhd-Sebisht, gjatë orëve të para të mëngjesit kanë nisur reshjet e dëborës, por qarkullimi vijon normalisht dhe pa vështirësi.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, raportohen ndërprerje në Njësinë Administrative Përparim, në bashkinë e Peqin, ku janë prekur rreth 700 abonentë, si dhe në bashkinë e Gramsh, me rreth 1000 abonentë pa energji.
Autoritetet lokale janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe po ndjekin nga afër zhvillimet në terren.

