Rama: Projektet pilot me komunitetet lokale synojnë mbrojtjen e natyrës në zonat turistike

TIRANË ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se qeveria po planifikon zhvillimin e projekteve pilot në zonat turistike, duke synuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve lokale në mbrojtjen e mjedisit dhe territorit.

Në podkastin “Flasim”, Rama tha se synimi është krijimi i një partneriteti të qëndrueshëm mes institucioneve shtetërore, komuniteteve dhe operatorëve që zhvillojnë aktivitetin e tyre në zonat turistike.

Sipas kryeministrit, komunitetet lokale mund të organizohen në shoqata dhe të marrin përsipër angazhime konkrete për monitorimin dhe mbrojtjen e territorit.

“Qeveria synon të zhvillojë projekte pilot me komunitetet që merren me turizëm, të cilat do të organizohen në shoqata dhe do të marrin përsipër angazhime konkrete për ruajtjen e mjedisit.”

Rama renditi një sërë detyrash që këto struktura mund të ndërmarrin në terren, duke nisur nga sinjalizimi i problematikave mjedisore, pastrimi i mbetjeve dhe evidentimi i ndërtimeve pa leje, deri te denoncimi i prerjeve të paligjshme të pyjeve dhe masat për reduktimin e rrezikut nga zjarret.

“Pasuria natyrore është pjesë thelbësore e ofertës turistike”

Duke iu referuar Lumit të Shalës si një prej destinacioneve që është kthyer në një “brand” turistik, kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së pasurive natyrore si një komponent thelbësor i ofertës turistike shqiptare.

Sipas tij, dëmtimi i natyrës nuk prek vetëm mjedisin, por mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në aktivitetin ekonomik të komuniteteve që jetojnë nga turizmi.

“Duhet mbrojtur në të gjitha aspektet, nga ruajtja e natyrës dhe higjiena, deri te mënyra e ndërtimeve dhe mirëmbajtja e pyjeve”.

Në këtë kuadër, Rama nënvizoi nevojën për një qasje të përbashkët në territoret turistike, ku përgjegjësia për mbrojtjen e burimeve natyrore të mos mbetet vetëm te institucionet publike.

Shteti, komunitetet lokale dhe operatorët turistikë pritet të kenë një rol të ndërlidhur në ruajtjen e mjedisit, parandalimin e dëmtimeve të territorit dhe garantimin e një zhvillimi më të qëndrueshëm të turizmit.

Nisma e propozuar synon kështu që komunitetet që përfitojnë ekonomikisht nga turizmi të kenë edhe një rol më aktiv në mbrojtjen e pasurive natyrore që përbëjnë bazën e kësaj veprimtarie.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME