Rama në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, agjenda përfshin takime të nivelit të lartë dhe me diasporën

SHBA, 19 shtator 2026 / Albania Express News / – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të pjesëmarrjes së Shqipërisë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Vizita zhvillohet në prag të Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së, ndërsa Debati i Përgjithshëm i sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme nis më 22 shtator dhe vijon deri më 28 shtator, me një ditë pushimi më 27 shtator. 

Gjatë qëndrimit në SHBA, Kryeministri Rama do të shoqërohet nga bashkëshortja, znj. Linda Rama, si dhe nga delegacioni zyrtar shqiptar.

Në Nju Jork, Rama do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku liderë shtetesh dhe qeverish nga vende të ndryshme të botës do të paraqesin qëndrimet dhe prioritetet e tyre përballë sfidave ndërkombëtare. Tema e këtij viti është “Restoring trust, managing transformation: A United Nations that delivers for all” – rikthimi i besimit dhe menaxhimi i transformimit për një Organizatë të Kombeve të Bashkuara që u shërben të gjithëve. 

Në kuadër të axhendës së tij, Kryeministri pritet t’u drejtohet të pranishmëve në Asamblenë e Përgjithshme, ndërsa programi i vizitës parashikon gjithashtu pjesëmarrjen në pritje zyrtare, aktivitete të nivelit të lartë dhe takime me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe organizatave ndërkombëtare.

Një tjetër pjesë e axhendës do të jetë kontakti me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, përmes takimeve me përfaqësues të komunitetit shqiptar.

Java e Nivelit të Lartë në Nju Jork përfshin një sërë takimesh ndërkombëtare, ndër të cilat diskutime për zhvillimin, klimën, rritjen e nivelit të detit, parandalimin dhe përgatitjen ndaj pandemive, si dhe çështje të tjera me rëndësi globale. 

Vizita e Kryeministrit Rama në SHBA vjen në një prej momenteve më të rëndësishme të kalendarit diplomatik ndërkombëtar, ku në Nju Jork mblidhen krerë shtetesh, qeverish dhe përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të OKB-së.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME