POGRADEC , 18 korrik 2026/Albania Express News/ -Krahina e Mokrës do të mirëpresë më 8 gusht edicionin e shtatë të “Mokra n’Fest 2026”, një aktivitet që synon të promovojë trashëgiminë kulturore, traditat, kulinarinë dhe bukuritë natyrore të kësaj zone me vlera të veçanta.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se Mokra është një krahinë që nuk të fton vetëm ta vizitosh, por ta jetosh.
“Ekziston një vend ku fyelli zgjon malet dhe daullja rreh në të njëjtin ritëm me zemrat ku vallja nuk është vetëm kërcim, por trashëgimi. Ku duart që gatuajnë lakrorin dhe kulaçin ruajnë shijen e brezave, e ku çdo gur e çdo shteg ka një histori për të treguar. Kjo është Mokra një krahinë që nuk të fton vetëm ta vizitosh, por ta jetosh. Më 8 gusht, te Ura e Gurit në Golik, tradita merr jetë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Vizitorët do të kenë mundësi të përjetojnë muzikën tradicionale, vallet popullore, gatimet karakteristike dhe elementët më përfaqësues të kulturës mokrare.
“Mokra n’Fest” është kthyer në një aktivitet që promovon identitetin kulturor të zonës dhe kontribuon në zhvillimin e turizmit lokal, duke tërhequr çdo vit vizitorë të shumtë për të njohur nga afër traditat, mikpritjen dhe peizazhet e kësaj krahine.
Zona e Mokrës vlerësohet si një potencial turistik, kulturor dhe historik.
Mokra njihet edhe si kryeqendra e mbretërisë së parë ilire. Dëshmitë historike monumentale tregohen përmes 5 varreve të Selcës në kodrën e quajtur Gradishtë.

