TIRANË ,02 shtator 2026 / Albania Express News /-Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot, në orën 13:00, në Vilën e Kuqe në Tiranë, ministrat, zëvendësministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, përfshirë edhe deputetët e deleguar në territore.
Takimi vjen pas mbledhjes së zhvilluar të premten, më 28 gusht, ku kreu i qeverisë diskutoi me drejtuesit e Partisë Socialiste organizimin dhe kalendarizimin e axhendës politike për sezonin e ri.
Në fokus të mbledhjes së sotme pritet të jenë detyrat e lëna nga kryeministri, veçanërisht forcimi i pranisë së strukturave socialiste në territor dhe ndjekja më nga afër e problematikave të qytetarëve.
Një prej çështjeve kryesore do të jetë shtrirja e konceptit të “Pranisë Besnike” në çdo territor, me synimin për të rritur kontaktin e strukturave politike dhe përfaqësuesve të mazhorancës me qytetarët.
Po ashtu, pritet të diskutohet puna për ndryshimet ligjore që lidhen me platformën “PasqyrAlbania”, e cila u prezantua gjatë takimeve dyditore me dyer të mbyllura të zhvilluara në Pogradec.
Gjatë këtyre takimeve, Rama ka kërkuar që problematikat e evidentuara në komunitete dhe shqetësimet e qytetarëve të jenë në qendër të veprimtarisë së strukturave politike dhe të qeverisjes.
Mbledhja e sotme shihet gjithashtu si pjesë e përgatitjeve të Partisë Socialiste për axhendën politike të muajve në vijim, ndërsa janë parashikuar edhe takime të tjera të strukturave socialiste gjatë ditëve në vijim.
Në fokus pritet të jetë koordinimi mes qeverisë, drejtuesve politikë dhe deputetëve në qarqe, si dhe përcaktimi i detyrave konkrete për secilin territor.

