TIRANË ,03 shtator 2026 / Albania Express News /-Kryeministri Edi Rama ka nisur mbledhjen me ministrat dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku po prezanton disa prej prioriteteve dhe sfidave me të cilat përballet qeverisja.
Në fjalën e tij, Rama u ndal te ajo që e cilësoi si “tre plagë që ushqejnë njëra-tjetrën”: shteti labirint, mungesa e memories institucionale dhe perceptimi se në Shqipëri njohja dhe fati shpesh vlejnë më shumë se merita dhe ligji.
Rama foli gjithashtu për “Pasqyrë Albania”, “Besa” dhe “Shkalla e Meritës”, si mekanizma që, sipas tij, synojnë t’u japin përgjigje këtyre problematikave.
Rama: Sot ne duhet të ndeshemi me tre plagë që ushqejnë njëra-tjetrën. Shteti labirint, plaga e dytë është mungesa e memories institucionale, premtohet, flitet, por nuk mbahet një regjistër i plotë llogarish të shkruara për atë që u bëmë, për atë që nuk u bëmë, që u vonua apo ndryshoi rrugës. Mungesa e memories i kushton shtetit dhe qytetarit shumë më tepër.
E treta është plaga e dritës që nuk duket, të cilën e sheh dhe e prek te ndjenja shpeshherë e drejtë e çdo njeriu në Shqipëri që për një shërbim, vend pune, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji.
Pasqyrë Albania, Besa dhe Shkalla e Meritës janë pjesë e pandashme për t’i dhënë përgjigje pyetjeve dhe për të kuruar këto plagë. Pasqyrë Albania është një hapësirë e re. Hë për hë, Pasqyrë Albania do të jetë një hapësirë ku qeveria do të jetë aty, por e mira do që të jenë edhe dy pushtete të tjera, legjislativ dhe ai gjyqësor. Por është vendimmarrja e tyre.

