Albana Koçiu u prezantua sot nga kryeministri Edi Rama si ministrja e parë grua që merr drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në historinë e këtij institucioni. Kryeministri e cilësoi këtë moment si “historik” dhe theksoi se është koha që kjo ministri të shohë përtej rolit tradicional të Policisë së Shtetit.
“Punët e brendshme nuk janë thjesht dhe vetëm punët e Policisë së Shtetit. Ministria e Brendshme nuk bën punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit. Ndryshimi i profilit të ministrit të Brendshëm është pikënisja logjike e transformimit që duhet të ndodhë në këtë ministri”, u shpreh Rama.
Sipas tij, Koçiu vjen me një profil të ndryshëm nga paraardhësit, duke pasur përpara misionin e qartë për ta shndërruar Ministrinë e Brendshme në një institucion modern, të përafruar me standardet europiane. Kryeministri nënvizoi se një nga sfidat e mëdha mbetet adresimi i problemeve të trashëguara ndër vite, mes tyre edhe mungesa e një sistemi funksional adresash në vend.
Me këtë emërim, Rama tha se hapet një faqe e re për Ministrinë e Brendshme, ku fokusi do të jetë tek të gjitha punët e brendshme të vendit dhe jo vetëm tek menaxhimi i Policisë së Shtetit.