TIRANË ,01 shtator 2026 / Albania Express News /-Qyteti Studenti në Tiranë po përgatitet për të pritur mijëra të rinj në prag të nisjes së vitit të ri akademik 2026–2027, ndërsa interesi për akomodimin në rezidencat studentore ka shënuar një rritje të ndjeshme.
Deri tani, rreth 70% e kapaciteteve të Qytetit Studenti në Tiranë janë mbuluar me regjistrime, një shifër që, sipas drejtimit të institucionit, përbën një nga nivelet më të larta të regjistruara gjatë pesë viteve të fundit.

Por këtë vit, Qyteti Studenti sjell edhe një ndryshim të rëndësishëm. Për herë të parë, rezidenca do të mirëpresë edhe studentë të huaj, duke e zgjeruar shërbimin përtej studentëve shqiptarë.
Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Shahini, thotë se kërkesa ka tejkaluar ndjeshëm nivelet e viteve të mëparshme, ndërsa interesi nga studentët e huaj vijon të rritet.

“Ky vit është një risi si rrallëherë. Kemi një kërkesë 70% më të lartë se në pesë vitet e fundit. Për herë të parë, Qyteti Studenti hap dyert edhe për studentët e huaj, duke u bërë pjesë e ofertës së Shqipërisë për të rinjtë që zgjedhin të studiojnë në vendin tonë. Nga studentët e huaj kemi më shumë se 1,800 kërkesa dhe numri është në rritje çdo ditë”, deklaroi Shahini.
Më shumë se akomodim, vjen RSU+
Përveç rritjes së kërkesës, këtë vit vjen edhe një tjetër risi për studentët: RSU+.
Paketa e re, e ofruar për herë të parë për studentët e akomoduar në disa prej rezidencave të Qytetit Studenti, synon të zgjerojë gamën e shërbimeve dhe mundësive që u ofrohen të rinjve.

RSU+ përfshin shërbime dhe aktivitete, trajnime, praktika profesionale dhe mundësi për zhvillim profesional, duke synuar që qëndrimi në rezidencë të mos kufizohet vetëm te akomodimi, por të shërbejë edhe si një hapësirë për zhvillimin akademik, social dhe profesional të studentëve.
Interes në rritje edhe nga studentët e huaj
Hapja ndaj studentëve ndërkombëtarë është një nga zhvillimet më të rëndësishme të këtij viti. Mbi 1,800 kërkesa nga studentë të huaj janë regjistruar deri tani, ndërsa numri pritet të vijojë të rritet në ditët në vazhdim.
Ky zhvillim e vendos Qytetin Studenti në një rol të ri, si pjesë e ofertës së akomodimit për të rinjtë që zgjedhin Shqipërinë për të ndjekur studimet universitare.

Ndërkohë, regjistrimet për akomodim mbeten të hapura gjatë gjithë vitit, duke u dhënë mundësi studentëve të aplikojnë edhe pas nisjes së vitit akademik.
Me 70% të kapaciteteve tashmë të mbuluara dhe me një interes në rritje nga studentët shqiptarë dhe të huaj, Qyteti Studenti pritet ta nisë vitin akademik 2026–2027 me një fluks të lartë kërkesash dhe me shërbime të reja të orientuara drejt komunitetit studentor.


