Gjatë natës së kaluar, Qarku i Elbasanit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe rrebeshe, ndërsa në zonat malore, në lartësi mbi 700 metra, janë regjistruar reshje dëbore. Si pasojë e kushteve atmosferike, në disa akse rrugore ka pasur prezencë dëbore, rrëshqitje dherash dhe rënie inertesh, por situata është mbajtur nën kontroll falë ndërhyrjeve të shpejta të strukturave përgjegjëse.
Në akset nacionale Elbasan–Qafë Thanë, Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë (aksi i vjetër nga Krraba), ka pasur prezencë dëbore. Ka vijuar pastrimi me mjete borepastruese dhe hedhja e kripës, ndërsa qarkullimi është i hapur për të gjitha mjetet. Në aksin nacional Gramsh–Moglicë janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh, të cilat janë pastruar nga firma kontraktuese.

Gjatë natës, në aksin Elbasan–Gjinar ka pasur rënie dherash, ndërsa në aksin Elbasan–Peqin janë regjistruar, në dy raste, rënie pemësh. Në të gjitha rastet është realizuar ndërhyrja e menjëhershme nga firmat kontraktuese. Po ashtu, në aksin Elbasan–Cërrik është konstatuar rënie e një masivi dheu dhe është njoftuar firma kontraktuese për marrjen e masave të nevojshme.
Sa i përket situatës hidrike, prurjet e lumit Shkumbin vijojnë të jenë të larta, por deri në këto momente nuk paraqesin rrezikshmëri. E njëjta situatë paraqitet edhe për përroin e Zaranikës dhe atë të Paprit. Që prej mesditës së djeshme, nga HEC Banjë kanë vijuar shkarkimet në sasinë 290 m³/sek, të cilat, së bashku me prodhimin, arrinin në 390 m³/sek.

Deri tani nuk ka ndryshim të situatës në bashkitë Cërrik dhe Belsh nga prurjet e lumit Devoll. Megjithatë, vijojnë të jenë nën ujë disa sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Linas të Njësisë Administrative Mollas, bashkia Cërrik, si edhe në fshatin Shelg të Njësisë Administrative Grekan, bashkia Belsh.
Ndërkohë, nga HEC Banjë është njoftuar se, prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, ka nisur ulja e shkarkimeve me 50 m³/sek. Aktualisht, shkarkimet janë në nivelin 240 m³/sek dhe, së bashku me prodhimin, arrijnë në 340 m³/sek. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

