Katër aeroporte në Poloni, përfshirë më të madhin në Varshavë, janë mbyllur pas raportimeve se dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendit, njofton agjencia Reuters.
Dy aeroportet e kryeqytetit – Chopin dhe Warsaw Modlin – ndaluan operimet, ndërsa e njëjta masë u mor edhe në aeroportin Rzeszów-Jasionka, qendra ajrore më e afërt me Ukrainën, si dhe në aeroportin Lublin, sipas një njoftimi të Administratës Federale të Aviacionit të SHBA.
Ngjarja ndodhi në të njëjtën kohë kur Rusia nisi një tjetër sulm masiv ndaj rajoneve ukrainase pranë kufirit me Poloninë. Si reagim, avionë luftarakë të NATO-s dhe të forcave ajrore polake u ngritën menjëherë në fluturim.
“Forcat tona dhe aleatët po operojnë në hapësirën ajrore polake, ndërsa mbrojtja nga toka dhe radarët janë vendosur në gatishmërinë më të lartë,” njoftoi Komanda Operacionale e Ushtrisë Polake në një postim në platformën X.
Reagimet ndërkombëtare nuk munguan. Senatori amerikan Chris Murphy e cilësoi situatën “jashtëzakonisht serioze” nëse konfirmohet që mjetet ajrore ruse kanë fluturuar mbi territorin e një vendi anëtar të NATO-s. Ai theksoi se Polonia, për shkak të afërsisë me Ukrainën, është shpesh e ekspozuar ndaj pasojave të drejtpërdrejta të luftës.
Ndërkohë, kongresmeni republikan Joel Wilson e quajti incidentin një “akt lufte”. Ai i kërkoi Presidentit Donald Trump të vendosë sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe të furnizojë Ukrainën me armë që “të godasin drejtpërdrejt objektivat brenda territorit rus”.
Ky zhvillim ndodhi vetëm disa ditë pas vizitës së Presidentit polak Nawrocki në Shtëpinë e Bardhë, ku u takua me Presidentin Trump.