Përmbytje në Lezhë pas reshjeve të dendura – Uji arrin 40 cm në zona të banuara

Reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me shkarkesa elektrike kanë shkaktuar probleme në qarkun e Lezhës që nga mesnata. Për shkak të sasisë së madhe të prurjeve, sistemi i kanalizimeve në qytet nuk ka mundur t’i përballojë ujin, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” dhe “11.2 Hektare” në lagjen “Besëlidhja”. Niveli i ujit arriti deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe vështirësuar qarkullimin për këmbësorët dhe automjetet.

Shërbimet e emergjencës janë angazhuar për largimin e ujit dhe për të shmangur dëmtime në katet e para të banesave. Prezencë uji u raportua edhe në disa segmente të rrugës Lezhë–Shëngjin, ndërsa një pemë e rrëzuar krijoi vështirësi të përkohshme në qarkullim. Në Zadrimë, kanali i ujërave të larta ka dalë nga shtrati, duke përmbytur disa hektarë tokë bujqësore në zonën e Kallmetit.

Autoritetet lokale njoftojnë se grupet e emergjencës dhe mjetet e pastrimit janë në terren për normalizimin e situatës dhe u bëjnë apel qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura.

Probleme janë raportuar edhe në Bashkinë e Kurbinit, ku reshjet kanë shkaktuar vështirësi në qytetin e Laçit dhe përmbytje në Gjorm e Zheje. Moti i keq ka dëmtuar gjithashtu rrjetin elektrik në disa zona rurale, duke shkaktuar mungesë energjie. Ekipet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve, ndërsa bashkitë kanë angazhuar mjete për pastrimin e inertëve dhe rivendosjen e normalitetit.

Ndërkohë, në HEC-et e Qafë Mollës dhe Ulzës prurjet janë rritur ndjeshëm, por sipas autoriteteve, situata mbetet nën kontroll dhe nuk ka nevojë për hapjen e portave, ndërsa monitorimi po vijon në mënyrë të pandërprerë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...