Nga Genc Gripshi
Në qytetin e Peqin ka nisur atmosfera festive që paralajmëron ardhjen e pranverës. Me rastin e festave të Darkës dhe Ditës së Verës, në gjimnazin Gjimnazi “Zihni Magani” u çel zyrtarisht aktiviteti festiv “Mirë se vjen Pranverë”, një festë që pritet të kulmojë më 13 dhe 14 mars në sheshin kryesor të qytetit dhe të vazhdojë gjatë gjithë javës edhe në njësitë administrative dhe shkollat e zonës.

Dita e Verës në Peqin është një nga traditat më të lashta të qytetit, me rrënjë që shkojnë thellë në kohët pagane. Ky rit i hershëm, i lidhur me kultin e natyrës dhe të diellit, ka qenë aq i fortë në jetën shpirtërore të banorëve sa që as ardhja e krishterimit në shekullin e dytë pas Krishtit dhe as islamizimi në shekullin XVII nuk arritën ta zbehin apo ta zhdukin këtë festë nga ndërgjegjja e qytetarëve.
Sipas traditës së hershme, mbrëmjen e 13 marsit, burrat e qytetit ndiznin zjarre në kodrat dhe malet përreth, në shenjë nderimi për dritën dhe për ringjalljen e natyrës. Zjarret shoqëroheshin me lloxore, të cilat dikur ushtonin në të gjithë qytetin dhe krijonin një atmosferë magjike pranverore.

Në agimin e 14 marsit, burrat dhe gratë ngjiteshin në kodrën më të lartë për të pritur lindjen e diellit. Sipas besimit të vjetër pagan, njerëzit falënderonin diellin për dritën, ngrohtësinë dhe begatinë që ai sillte në tokë dhe për ringjalljen e natyrës pas dimrit të gjatë.
Edhe fëmijët kishin një rol të veçantë në këtë festë. Dikur ata vendosnin në kokë kurora me degë ulliri dhe lule të çelura, ndërsa në portat e shtëpive vendoseshin degë ulliri si simbol i gjelbërimit dhe i jetës së re. Në mëngjes, fëmijët shkonin tek të afërmit dhe fqinjët me degë ulliri në dorë, duke marrë si dhuratë nga një kokërr vezë, një zakon që simbolizonte begatinë dhe mbarësinë.

Tradita vazhdon edhe sot. Në Peqin Darka e Verës festohet me tryeza të pasura dhe gatime tradicionale, ndërsa lloxoret mbeten një nga elementët më karakteristikë të festës. Ndërsa Dita e Verës vijon që në mëngjes me dalje në natyrë, piknikë familjarë dhe aktivitete festive që zgjasin deri në mbrëmje.
Kjo festë është trashëguar brez pas brezi: e festuan të parët tanë, gjyshërit dhe prindërit tanë, e festojmë sot ne dhe do ta festojnë edhe brezat që do të vijnë. Në këtë mënyrë, Peqini vazhdon të mbetet një nga qytetet ku tradita e Ditës së Verës ruhet me më shumë dashuri dhe autenticitet, duke e kthyer çdo mars në një festë të vërtetë të pranverës dhe të jetës.

