Pelegrinazhi historik i LGBTQ+ në Vatikan, për herë të parë i njohur zyrtarisht

Për herë të parë në histori, rreth 1,400 katolikë LGBTQ+ nga 20 vende morën pjesë këtë fundjavë në një pelegrinazh zyrtar të njohur nga Vatikani, në kuadër të Vitit Jubilar të Kishës Katolike.

Të veshur me ngjyra ylberi dhe duke mbajtur kryqe, pelegrinët u bashkuan në vigjile lutjesh, mesha dhe aktivitete shpirtërore në Romë. Një nga momentet më domethënëse ishte kalimi i tyre përmes Portës së Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, e cila hapet vetëm një herë në 25 vjet, gjatë viteve jubilarë, dhe simbolizon pajtimin e mëshirën.

“Jo vetëm që personat LGBTQ po ecin për të treguar se janë pjesë e Kishës, por vetë institucionet zyrtare të Kishës po i mirëpresin dhe po ndihmojnë që historia e tyre të dëgjohet,” – deklaroi Francis DeBernardo, drejtor i organizatës amerikane New Ways Ministry, e cila punon për mbështetjen e komunitetit LGBTQ+ brenda Kishës Katolike.

Papa Françesku, i ndarë nga jeta në prill, mbajti vijën doktrinare, por në vitin 2023 hapi një precedent historik duke lejuar priftërinjtë të bekojnë çiftet e të njëjtit seks – një hap i kritikuar fort nga qarqet konservatore, sidomos në Afrikë. Ai kishte deklaruar më herët se “personat homoseksualë janë fëmijë të Zotit dhe askush nuk duhet t’i përjashtojë.” Megjithatë, Vatikani ka theksuar se këto bekime nuk lidhen me martesën, e cila mbetet e njohur vetëm mes burrit dhe gruas.

Papa i ri, Leoni XIV, i zgjedhur në maj 2025, ende nuk ka dhënë një qëndrim publik mbi çështjet LGBTQ+ dhe nuk ka komentuar dekretin e pararendësit të tij.

Në kuadër të Vitit Jubilar 2025, pritet që mbi 32 milionë pelegrinë të vizitojnë Vatikanin, ndërsa ky pelegrinazh shënon një kthesë historike në marrëdhëniet mes Kishës Katolike dhe komunitetit LGBTQ+.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME