Shkolla e Mesme e Bashkuar “Sali Halili” në fshatin Rrajcë të Bashkisë Prrenjas do të hapë këtë vit të ri shkollor dyert për 450 nxënës, në një godinë të re moderne që përfaqëson një transformim të rëndësishëm për komunitetin. Falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Bashkinë Prrenjas, shkolla tashmë ofron kushte bashkëkohore me klasa të sistemuara dhe të pajisura me laboratorë funksionalë, me një bibliotekë të rikonstruktuar dhe ambiente sportive që plotësojnë standardet europiane.

Ky investim vjen pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe pakënaqësie të thellë të komunitetit të zonës së Rrajcës. Për dy vite radhazi, nxënësit e kësaj shkolle, të mbështetur nga prindërit, bojkotuan fillimin e viteve shkollorë 2023–2024 dhe 2024–2025, duke protestuar para godinës së vjetër të amortizuar dhe duke refuzuar të zhvillonin mësim në ambiente të papërshtatshme si lokale apo godina të dëmtuara, të cilat nuk garantonin as siguri dhe as cilësi mësimore. Ata i rezistuan edhe imponimit për t’u transferuar në qytetin e Prrenjasit. Me kërkesën e qartë dhe të përsëritur “Duam shkollën të bëhet sa më parë dhe të bëhet po në Rrajcë”, komuniteti i kësaj zone i dha zë një problemi të kahershëm që kërkonte një zgjidhje të menjëhershme institucionale.

Sot, kjo zgjidhje është bërë realitet. Viti i ri shkollor 2025–2026 do të nisë për nxënësit dhe mësuesit e Rrajcës në një ambient dinjitoz dhe motivues, ku mundësitë për të mësuar, zhvilluar dhe për të ëndërruar janë në përputhje me vizionin e një arsimi cilësor për të gjithë. Ky është jo vetëm një hap drejt përmirësimit të infrastrukturës arsimore në zonat rurale, por edhe një dëshmi se zëri i qytetarëve ka peshë dhe se vendosmëria e një komuniteti mund të sjellë ndryshime reale.

Rrajca është një rast për t’u marrë shembull dhe, falë këmbënguljes së tyre, fëmijët e kësaj zone përgjithmonë do të shkollohen aty ku ata këmbëgulën me të drejtë. Rrajca ia arriti që ta ketë shkollën e Mesme të Bashkuar të rikonstruktuar aty ku ju duhet, sepse sot kjo shkollë ka plot 450 nxënës, si në asnjë Njësi Administrative tjetër të bashkive të vogla të Shqipërisë.
albaniaexpress.al

