Parku “Rinia” në qytetin e Elbasanit po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një hapësirë të gjallë për të gjitha moshat. Në sajë të investimeve të kryera dhe rikualifikimit urban, ky park nuk është më vetëm një vend shëtitjeje, por një qendër e vërtetë aktivitetesh sportive, argëtuese dhe kulturore.

Fëmijë që luajnë, të rritur që bëjnë ecje e ushtrime fizike, të moshuar që gjejnë qetësi mes gjelbërimit, të gjithë e shijojnë hapësirën e rehatshme dhe të gjallëruar të parkut. Por sidomos të rinjtë e kanë kthyer atë në një fushë të hapur për kryerjen e akriviteteve sportive.
Një shembull i gjallë ishte ndeshja miqësore e zhvilluar së fundmi në ambientet brenda parkut të ndërtuara enkas për aktivitete sportive, duke përfshirë edhe stërvitje apo ndeshje të ndryshme. Së fundmi, në kuadër të turneut parasezonal U18, luajti skuadra e SB Elbasani me Elite Basket, një sfidë që përfundoi me rezultatin bindës 92-67.
Takimi tregoi se sa potencial kanë të rinjtë elbasanas dhe se si infrastruktura e përmirësuar i nxit ata të ushtrohen më shumë dhe të arrijnë rezultate më të larta.

Parku “Rinia” po bëhet kështu jo vetëm një destinacion për pushim e argëtim, por edhe një pistë për sportistët e ardhshëm të qytetit.
albaniaexpress.al