Parashikimet ligjore ndaj ndërtimeve pa leje, nga konfiskimet tek gjobat dhe ndalimi i punësimit për zyrtarët

Në kuadër të forcimit të kontrollit mbi territorin dhe mbrojtjes së zonave me rëndësi të veçantë, Këshilli i Ministrave ka miratuar një akt normativ që ndryshon disa dispozita të ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Akti, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare, parashikon sanksione të ashpra administrative ndaj ndërtuesve që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe ndaj institucioneve që nuk zbatojnë detyrimet ligjore për lejet e ndërtimit.

Ndryshimet ligjore përcaktojnë gjobë në masën 5 milionë lekë për subjektet që ndryshojnë aktivitetin, funksionin apo destinacionin e një ndërtese pa lejen e autoritetit përgjegjës. Po ashtu, mosveprimi për miratimin në heshtje të dokumenteve të lejeve të ndërtimit, pasi kërkuesi ka paguar taksën përkatëse, do të ndëshkohet me gjobë deri në 2 milionë lekë.

Për punimet që përjashtohen nga detyrimi për leje ndërtimi, por nuk deklarohen, vendoset gjobë që varion nga 50 mijë deri në 150 mijë lekë, si dhe mund të urdhërohet prishja e tyre. Ndërsa në rastet kur këto punime kryhen brenda brezit bregdetar dhe janë pjesë e një lejeje të dhënë nga KKTU, mosdeklarimi ndëshkohet me gjobë të llogaritur sipas preventivit të depozituar, por në çdo rast jo më pak se 35 mijë lekë për metër katror, si dhe me vendim për prishje.

Kryerja e punimeve pa leje dënohet me gjobë të barabartë me vlerën e punimeve, sipas preventivit të dorëzuar pranë autoriteteve, me kufi minimal 35 mijë lekë për metër katror. Nëse ndërtimi pa leje është për qëllime fitimi dhe kapërcen 2% të sipërfaqes së përgjithshme ndërtimore mbi ose nën tokë, parashikohet konfiskim për interes publik apo për qëllime të strehimit social.

Në rastet kur ndërtesa është e qëndrueshme, por ndërtimi është kryer tërësisht pa leje dhe kapërcen 10% të sipërfaqes së përgjithshme ndërtimore, mund të vendoset prishja ose konfiskimi i objektit për interes publik.

Për ndërtimet pa leje të kryera në brezin bregdetar, në zona me përparësi zhvillimin e turizmit, në zonat e mbrojtura apo pranë monumenteve të kulturës, përveç gjobës bazë, parashikohet edhe një masë shtesë prej 10% të vlerës së preventivit.

Për ndërtimet e kryera tërësisht pa leje në këto zona, shtohet edhe një gjobë në masën 10% të vlerës së shitjes për metër katror. Gjithashtu, çdo leje ndërtimi apo deklaratë punimesh e lëshuar nga pushteti vendor në këto zona, pa aktin paraprak të konformitetit nga Sekretariati Teknik i KKTU-së, konsiderohet absolutisht e pavlefshme. Autoritetet që shkelin këtë detyrim gjobiten me 2 milionë lekë.

Shpenzimet për prishjen dhe pastrimin e inerteve mbulohen nga subjekti zhvillues, sipas faturës zyrtare të lëshuar nga organet shtetërore. Kjo faturë përbën titull ekzekutiv dhe, nëse nuk paguhet vullnetarisht, autoritetet kanë të drejtë të bllokojnë llogaritë bankare të subjektit.

Për herë të parë, ligji parashikon sanksion të veçantë për punonjësit e shtetit, me kohë të plotë apo të pjesshme, që rezultojnë të përfshirë në ndërtimet pa leje. Kjo shkelje konsiderohet shumë e rëndë dhe sjell largim të menjëhershëm nga puna, duke u ndaluar të punojnë në administratën publike për një periudhë 7-vjeçare.

Autoritetet e zhvillimit mund të miratojnë kërkesa për ndryshime në projekt apo rishikim të kushteve të ndërtimit vetëm nëse nuk preken të drejtat pronësore të palëve të treta dhe nëse garantohet qëndrueshmëria e objektit. Në të kundërt, urdhërohet prishja e ndërhyrjeve të kryera në kundërshtim me lejen.

Nëse subjektet zhvilluese nuk zbatojnë projektin e fasadës sipas skedave teknike të miratuara me leje ndërtimi, u jepet një afat 90-ditor për të përmirësuar shkeljet. Me kërkesë të arsyetuar, ky afat mund të shtyhet deri në 60 ditë. Nëse nuk përmbushen detyrimet brenda këtyre afateve, objekti konfiskohet për interes publik.

Me këtë akt normativ, qeveria synon të vendosë standarde të reja në disiplinimin e ndërtimeve dhe të forcojë rolin e shtetit në mbrojtjen e territorit, në veçanti në zonat e ndjeshme për zhvillim të qëndrueshëm dhe turizëm.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME