KORÇË ,15 korrik 2025/Albania Express News/-Një postim i gazetari Xhensil Shkëmbi në faqen e tij zyrtare në Facebook ka rikthyer në vëmendje problematikat e sistemit shëndetësor në vend. Që në orën 06:30 të mëngjesit të sotëm , ai ka dokumentuar qytetarët me fakte e prova , kryesisht të moshuar, të mbledhur përpara derës së Poliklinikës së Korçës, ndonëse shërbimi nis vetëm në orën 08:00.
Sipas gazetarit, shumë prej tyre shkojnë me orë të tëra përpara hapjes së poliklinikës, me shpresën se do të marrin shërbim më shpejt. Megjithatë, kjo nuk ndodh. Disa qytetarë i kanë treguar se presin edhe për mjekët që nisin vizitat në orën 11:00, çka do të thotë se kalojnë rreth 5 orë në pritje për një konsultë që zgjat vetëm pak minuta.
Në reagimin e tij, Shkëmbi thekson se problemi nuk lidhet me mjekët apo drejtuesit e poliklinikës, por me mënyrën se si është organizuar sistemi shëndetësor. Ai vëren se i njëjti mjek detyrohet të punojë njëkohësisht në spital, në poliklinikë dhe më pas edhe në sektorin privat, për shkak të mungesës së mjekëve.
Gazetari sjell edhe një krahasim me përvojën e saj në një spital në Maqedoninë e Veriut, ku, sipas tij, vizitat planifikohen nga sistemi me orar të përcaktuar, pacientët nuk krijojnë radhë dhe mjekët qëndrojnë në punë gjatë gjithë orarit zyrtar.
Në përfundim, ai apelon për një reformim të sistemit shëndetësor, duke theksuar se është e papranueshme që, në një vend që synon integrimin në Bashkimin Evropian, të moshuarit të detyrohen të presin me orë të tëra për një vizitë mjekësore.

