Paketa e Maleve nis zbatimin, Demo: 200 aplikime të miratuara nga bashkitë

TIRANË , 27 gusht 2026/Albania Express News/- “Paketa e Maleve po nis të japë rezultatet e para konkrete dhe ky është vetëm fillimi”, deklaroi ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në një videomesazh drejtuar qytetarëve dhe bashkëkombasve në diasporë.

Sipas tij, Paketa e Maleve tashmë është përqafuar nga qytetarë që “dashurinë që kanë për vendlindjen e tyre, për tokën e të parëve, po e kthejnë në mundësi zhvillimi për ekonominë lokale dhe atë familjare”, teksa bëri të ditur se “sot ne kemi edhe dallëndyshet e para të suksesit”.

Demo tha se bashkitë po e shohin Paketën e Maleve “si një mundësi zhvillimi ekonomik rural dhe si një instrument që s’e kanë pasur kurrë më parë për të adresuar nevojat e qytetarëve dhe krijuar ekonomi lokale”.

“Tani, 52 bashki kanë miratuar mbi 460 zona prioritare, kemi rreth 1 900 aplikime në platformën paketaemaleve.gov.al”, bëri të ditur ministri.

“Rreth 200 aplikime janë miratuar tashmë nga këshillat bashkiakë, ndërsa kemi edhe rastet e para konkrete të suksesit dhe lejet e para të zhvillimit për të vazhduar investimin”, shtoi Demo.

Sipas tij, “procesi po kalon nga interesi, tek aplikimi dhe tashmë tek investimi real në territor”.

Duke iu drejtuar qytetarëve që mund të jenë skeptikë për këtë mekanizëm, Demo nënvizoi se “Paketa e Maleve është një instrument në dorën e bashkive si incentivë për zhvillim ekonomik rural”.

“Jo vetëm që nuk prek pronën private, por adreson shpesh dhe kalvarin e atyre qytetarëve të cilët duan të investojnë në tokat e të parëve apo atyre që kanë mbi 10 vjet që e posedojnë”, u shpreh ai.

Demo sqaroi se Paketa e Maleve zbatohet mbi pasuri shtetërore, përmes një procesi të plotë verifikimi, me 45 ditë afishim publik dhe me garanci që çdo pretendim pronësie i dokumentuar të trajtohet përpara se procedura të vijojë.

“Qëllimi është i qartë: të zgjidhim problematika të mbartura prej vitesh dhe t’i kthejmë ato në mundësi të reja për investim, punësim dhe zhvillim lokal”, deklaroi ministri, teksa nënvizoi se, dhe rezultatet e para po tregojnë se kjo po bëhet realitet.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME