Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo theksoi sot se Paketa e Maleve mund të hapë një dritare të re zhvillimi për territorin, ndërkohë që 5 bashki kanë avancuar sa i përket caktimit të zonave prioritare.
Në takimin me kryebashkiakët për Paketën e Maleve, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Demo tha se vizioni që kjo paketë ka është zhvillimi i territoreve në brendësi të bashkive, të cilat realisht kanë nevojë për një model të ri të zhvillimit ekonomik.
“Mundësitë që krijohen nga kjo paketë me procedura të thjeshtuara për të gjithë ata që janë të interesuar dhe duke u bazuar edhe tek prioritet që bashkitë kanë në territor mendoj se të gjithë së bashku mund të bëjmë një ndryshim të jashtëzakonshëm sa i përket përfshirjes të zhvillimit ekonomik në çdo cep të Shqipërisë”, u shpreh Demo.
“Sa i përket potencialit të jashtëzakonshëm që kemi në territor të gjitha bashkitë kanë resurse natyrore të jashtëzakonshme sidomos duke pasur edhe erën e zhvillimit të sektorit të turizmit në nivel kombëtar krijon një sinergji të jashtëzakonshme dhe patjetër duhet të drejtohet me shumë fokus dhe energji nga kryebashkiakët, të cilët kanë një rol shumë të rëndësishëm dhe kyç sa i përket suksesit të kësaj nisme”, shtoi ai.
Duke përmendur disa histori suksesi, Demo tha se “tashmë kemi 5 bashki të cilat janë duke ndjekur rregullat e reja të udhëzimit të ri, që ju të gjithë jeni në dijeni, kanë avancuar sa i përket caktimit të zonave prioritare duke filluar me Tropojën, Elbasanin, Belshin, Përmetin dhe Skraparin”.
“Ky grup pune do të jetë në dispozicion të kryetarëve që ne të ecim me hapa të shpejtë për përcaktimin e zonave prioritare. Vetë udhëzimi është shumë i qartë sa i përket lehtësive që bashkitë kanë për të përcaktuar këto zona duhet të jenë të fokusuara në atë çfarë janë prioritete në territor. Duke iu referuar atyre kërkesave ose shprehjes së interesit që investitorë potencialë ose njerëz që janë të lidhur me tokën, por edhe njerëz që nuk ndodhen fizikisht në territor, por që kanë një lidhje direkte me zonat përkatëse të kenë mundësi për të zhvilluar projektet e tyre”, nënvizoi Demo.
Demo tha se “vetëm në këto 5 bashki numri i shprehjes së interesit është më shumë se 500, janë 30 projekte që janë evidentuar që kanë një potencial shumë të lartë që të ecin me hapa shumë të shpejtë. Vlera e këtyre projekteve fillon nga 10 milionë euro totali i investimeve bëhet fjalë për qindra vende pune, bëhet fjalë për zhvillimin e zonave ku këto sipërmarrje të reja mund të krijojnë një zinxhir të tërë ekonomik”.
Ai shtoi se Paketa e Maleve është një instrument i rëndësishëm për bashkitë.
“Nëse ne arrijmë t’i japim përgjigje kërkesave që territori ka sidomos në zona të thella për të krijuar zhvillim ekonomik dhe për ti dhënë mundësi banorëve të atyre zonave të përfshihen në një zhvillim të ri ekonomik që patjetër ka në fokus, turizmin dhe blegtorinë”, theksoi Demo.
Lidhur me udhëzimin e ri për përcaktimin e zonave prioritare, Demo tha se “kryetarët e bashkive caktojnë zonat prioritare në bazë të grupit të punës dhe volumit të kërkesave që kanë në territor ju e sillni propozimin me argumentet përkatëse në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për të pasur një informacion të përgjithshëm të pasurive që ndodhen në zonat prioritare”.
“I gjithë ky proces është i fokusur në prona që janë shtetërore dhe nuk ka kontestim nga komuniteti”, tha Demo.