Nga Bujar Vreto
Në horizontin e mjegullt të politikës shqiptare, ku e djathta do të duhej të përfaqësonte aspiratat për liri, meritokraci dhe integritet moral, po shfaqet një panoramë dëshpëruese, një rrudhje e përditshme, një zhbërje që ndodh jo me tërmete, por me rrëshqitje të heshtura, me kapitullime të vogla e të njëpasnjëshme.
Sot, më shumë se kurrë, ajo pjesë e popullsisë që nuk e pranon të majtën as ideologjikisht, as praktikisht, që kërkon ndryshim përballë keqqeverisjes, është lënë pa strehë politike. Ata nuk votojnë për flamurë, por për mundësi reale ndryshimi. Janë të ashtuquajturit, elektorat gri, njerëzit që përmbysin regjime e hapin rrugë të reja. Por me këtë udhëheqje të djathtë, me këtë garniturë të vjetër, të korruptuar dhe të mbyllur në vetvete, kjo shtresë nuk afrohet kurrë. Ajo ndjen neveri, jo afrim.
E djathta, që dikur fliste për dinjitet dhe kundërshtim ndaj autoritarizmit, është kapur nga një grup që s’ka më as ideologji, as vizion, ka vetëm një obsesion: të ruajë kontrollin mbi një mbetje politike të shndërruar në pronë private, një strukturë pa frymë, pa dritë, pa sens. Dhe ç’është më tronditëse: as zërat që kërkojnë reformim nuk kanë substancë, janë zëra të vakët, pa karizëm, pa busull morale. Janë ata që kërkojnë “ndryshim” pa përmendur shkakun e dekadencës, nuk flasin për largimin e atyre që e rrudhën, nuk kërkojnë zgjedhje reale, as hapje të partisë për grupimet e shpërndara e të përjashtuara, e gjithë fjala e tyre është një orvatje për t’u ripozicionuar, jo për të transformuar.

Dhe mes gjithë kësaj, qëndron një rrymë dhe një emër: berishizmi dhe Berisha vetë. Nuk është e vërtetë se ai u kthye për të ikur, ai nuk e ka njohur kurrë largimin edhe kur de-juro ishte Basha, ka diktuar gjithçka në hije, nga çadra, te reforma e dështuar territoriale, djegia e mandateve bojkoti i zgjedhjeve lokale, listat e deputetëve, kodin zgjedhor me lista të mbyllura, marrëveshja për amnistinë e tjer. Ai s’është rikthyer për të shlyer fajin, por për të mbrojtur veten nga rrjeta që po e mbyllin drejtësia dhe aleatët ndërkombëtarë. Dhe kush nuk e pranon këtë realitet ose është naiv, ose është i përlyer.
Sot, në media dhe rrjete sociale, sheh figura të njohura që bëjnë “analiza” me gjuhë të konsumuar, që bëjnë thirrje për një të djathtë të re ndërkohë që janë vetë produkt i mashtrimit të vjetër. Janë servilët e Bashës që u shndërruan në shërbëtorë të Berishës, janë kamuflazhi i krizës, janë ndërtuesit e një strukture të deformuar që kërkojnë ta rimodelojnë me të njëjtin çekiç të kalbur që dikur ngriti themelet e dështimit.
Këta nuk mund ta shpëtojnë të djathtën sepse e kanë tradhtuar, e kanë përdorur, janë bërë ortake me oligarkinë, kanë ndarë pasuritë e pushtetit dhe privilegjet e tij. Si mund të reformojnë ata që kanë ngrënë nga e kalbura? Si mund të ndërtojnë ata që s’e dinë të vërtetën se kanë abuzuar me të, as drejtësinë se e kanë përdhosur sistematikisht? Si mund të flasin për opozitë ata që e kanë përdorur për të ruajtur veten?
Dhe në fund, ja ku jemi: një opozitë që mbron interesat e veta me më shumë fanatizëm sesa pushteti vetë. Një opozitë që ka harruar popullin, që nuk ngrihet dot, që nuk frymëzon, që nuk udhëheq. Sepse nuk ka më ide, ka vetëm qëllime personale. Sepse nuk ka më vlerë, ka vetëm qëndrim mbi bakllavanë e pushtetit.
Berisha nuk ka për të ikur për të hapur rrugë, ai është kthyer për të trashëguar, për të vulosur një trashëgimi që ka mbijetuar mbi rrënimin e së djathtës reale. Kjo është e vërteta, sado të dhembë, ai e ka thënë qartë: me mua, kjo është rruga, ndarja e pronës për frymë, ligjërimi me anë të legalizimit të paligjshmërisë, privatizimi dhe uzurpimi i interesit publik, Shqipëria një euro. Dhe këtë e bën me koshiencë të plotë se ka ende qindra mijëra që e ndjekin, jo për ide, por si berishistë dhe një pjesë për ndarje përfitimesh që nuk duan kauzën, por pjesën e tyre.
Pra, është momenti i së vërtetës, o ngrihuni për të krijuar atë që i mungon vendit, një të djathtë të pastër, të ndershme, europiane, vizionare, o heshtni përgjithmonë dhe nënshtrohuni përballë këtij sistemi që do ta mbajë Shqipërinë në errësirë derisa të mbyllen të gjitha dosjet, llogaritë dhe pazarët.
Kjo nuk është më politikë, është një akt i fundit tragjik në teatrin e zhbërjes kombëtare.


Shkëlqyeshëm!
I dashur Bujar
partitë politike nuk janë fjalë goje që e përtypë dhe e nxjerr një kuptim të caktuar, sipas qejfit opo të dhimbjes së dhëmbit që
e tërheq gjuhën!
Nzk është aspak e saktë që Pozita ka zgjedhur të mos jetoj por, infividët e saj të frustruar nga egoja e përfitimit – dëshira për tu bërë i madh dhe i fuqishëm papërfishëm ndaj mundësive reale të opozitës, jj ka degëdisur si zogjtë e qyqes dhe, po ju vjen puba ngusht, nga nhë satrap që ka zgjedhur të triumfoj e pastaj edhe të ndërtojë jetën siç ia kënda qejfi! Kjo është filozofi abstrakte pir e saktë: partitë që përbëhen nga antarë që nuk shiten për interesa personale janë ato që fitojnë dhe jetojnë! Opozita shqiptare po tregohet labgaraqe. që flel e flet e flet si ti teket dhe nuk thotë asgjë! Prandaj, ky lloj anëtarësh është fatkeqësia e Shqupërisë sot, që jeton si ai gomari që po e hante ujku, e ai po
shpresinte, të ishte në ëndërr!