Nga Vladimir Mema
Një tjetër test pozitiv për Elbasanin në kuadër të përgatitjeve verore, teksa skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç ka arritur të mposhtë me përmbysje Tiranën, në një miqësore të zhvilluar në Greqi. Përballja u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të skuadrës verdheblu, që tregoi personalitet, karakter dhe ide të qarta loje përballë një kundërshtari me emër e traditë në futbollin shqiptar. Tirana e Vangjel Miles në kolaudim e sipër i shkoi shumë pranë barazimit në fundin e takimit, por Tabekou humbi penalltinë përballë Totoshit.
PJESA E PARË – Sfida nisi në mënyrën më të mirë për bardheblutë, të cilët gjetën rrjetën që në minutën e 3-të me anë të Patsatsias, që përfitoi nga një goditje dënimi e ekzekutuar bukur dhe mposhti portierin Janaçek. Ky gol nuk demoralizoi Elbasanin, përkundrazi. Skuadra reagoi menjëherë me një presion të lartë në gjysmëfushën e Tiranës dhe u përpoq të diktonte ritmin e lojës, duke fituar terren dhe besim. Barazimi erdhi në minutën e 31-të falë Ze Gomesh, i cili përfitoi nga një aksion i shpejtë kundërsulmi pas një topi të fituar në zonën e tretë, duke finalizuar saktë. Vetëm pak minuta më vonë, në të 39-tën, Diallo përmbysi gjithçka me një gol shumë të bukur. Pas një qarkullimi të gjatë dhe të duruar të topit nga Elbasani, një pasim në thellësi e nxori sulmuesin përballë portës dhe ai nuk gaboi, duke çuar rezultatin në 2-1. Me këtë rezultat ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes.

PJESA E DYTË – Me nisjen e pjesës së dytë, panorama e lojës ndryshoi. Trajnerët e të dyja ekipeve bënë zëvendësime të shumta për të testuar grupin dhe për të ruajtur ngarkesën e lojtarëve. Si pasojë, ritmi ra disi, ndërsa loja mori më shumë karakter eksperimental. Elbasani u përpoq të ruante ekuilibrin dhe organizimin në fushë, duke mos i lënë hapësira Tiranës për të ndërtuar me qetësi. Bardheblutë, nga ana tjetër, u shtynë përpara në minutat e fundit në kërkim të barazimit, ndërsa dominuan më shumë në zotërimin e topit, por pa qenë konkretë në finalizim. Linjat u bënë më të gjata dhe loja humbi fluiditetin që kishte në fraksionin e parë. Pavarësisht zëvendësimeve dhe lodhjes së dukshme, Elbasani ruajti një qëndrim kompakt në mbrojtje dhe tregoi qetësi në administrimin e rezultatit. Në minutën e 88-të, Tirana pati mundësinë më të artë për të shmangur humbjen, kur fitoi një penallti. Tabekou mori përsipër ekzekutimin, por portieri Totoshi tregoi klas dhe qetësi, duke kuptuar lëvizjet e sulmuesit dhe ndalur goditjen me një ndërhyrje vendimtare. Mbyllet gjithçka me fitoren e Elbasanit 2 me 1, me Gvozdenoviç dhe Mile që matëm forcat para startit të kampionatit, ku dihet që dy ekipet do të jenë rivale në Superiore.

