Prej dy ditësh, në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” të qytetit të Elbasanit po zhvillohet kampionati ekipor dhe individual i pingpongut, bashkëpunim mes dy federatave, të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në garë marrin pjesë 8 ekipet më të mira, meshkuj dhe femra, nga dy federatat përkatëse.

Kjo është hera e parë që qyteti i Elbasanit mirëpret një event të tillë, duke siguruar kushtet e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve ndërkombëtare dhe kombëtare të sportit.
Organizimi i aktivitetit është vlerësuar për profesionalizmin dhe strukturimin e qartë të garës, që ka mundësuar një zhvillim të suksesshëm dhe të rregullt të të gjithë aktiviteteve.

Para nisjes së garave, u zhvillua një ceremoni për vlerësimin e figurës së Kujtim Macukullit, ish-sportist i njohur, ku pas vdekjes u nderua për kontributin e tij.

Titulli dhe një pllakatë mirënjohjeje u morën nga familjarët, në përfaqësim të të birit, Shkëlzen Macukulli, aktualisht Zëvendës Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Poloni.

Pas kësaj ceremonie, drejtori i Përgjithshëm i Sportit dhe Kulturës në Bashkinë e Elbasanit, Artin Kovaçi, mirëpriti në zyrën e tij përfaqësuesit e pingpongut të dy federatave dhe kryetarin e KOKSH, z. Fidel Ylli.
Në emër të kryebashkiakut Gledian Llatja, ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së sportit dhe uroi që qyteti i Elbasanit të vazhdojë të mirëpresë evente të tilla.

Po ashtu, u dorëzuan dhurata simbolike si shenjë mirëseardhjeje dhe vlerësimi për kontributin e federatave në zhvillimin e sportit.
Artin Kovaçi shprehu se bashkia me kryebashkiakun Llatja do të vazhdojë të krijojë kushte të favorshme për organizimin e aktiviteteve sportive dhe do të mbështesë talentet, duke garantuar një infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.




