Sot, Astrit Mahmuti feston 50-vjetorin e tij dhe një karrierë të jashtëzakonshme 20-vjeçare si asistent arbitri, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar dhe më gjerë. Përmes viteve, ai ka qenë dëshmitar i evolucionit të futbollit, nga fushat e vogla të qytetit të Elbasanit tek stadiumet e mëdha të Superiores dhe ndeshjet ndërkombëtare të Europa League.
Me një pasion të lindur që nga mosha 7-vjeçare, Astriti nisi rrugëtimin e tij si futbollist pionier, për të gjetur më vonë thirrjen e tij të vërtetë në botën e arbitrazhit, një vend ku shpejtësia, përqendrimi dhe vendosmëria janë thelbësore. Në intervistën ekskluzive për “Albania Express News” për këtë 50-vjetor, Astriti rrëfen për herë të parë kujtimet më të hershme nga fushat e futbollit, debutimin e paharrueshëm në Superioren në një derbi të zjarrtë Apolonia-Bylis, dhe sfidat e para kur emocioni dhe presioni ishin të mëdha.
Ai ndan momentet më pikante nga karriera ndërkombëtare, duke përfshirë ndeshjen e paharrueshme Birkirkara-West Ham, ku penalltitë u ekzekutuan nga krahu i tij, dhe situatat e vështira që kërkonin vendime të shpejta, të sakta dhe të drejtë. Astriti tregon gjithashtu se si futbolli ndikoi në jetën e tij personale dhe familjare, duke formësuar një kulturë sportive dhe një jetë të shëndetshme, dhe duke e bërë familjen e tij krenare për arritjet e tij. Ai rrëfen momentet e tensionuara të derbit Tirana-Partizani, sfidat me lojtarë të vështirë, dhe mënyrën se si qetësia dhe bashkëpunimi me ekipin e arbitrave i mundësuan vendime të drejta dhe objektive në situata komplekse.
Përmes këtyre 20 viteve, Astriti ka nxjerrë mësime të rëndësishme për të gjithë: rëndësinë e punës së palodhur, ndershmërisë, pasionit dhe sakrificës, si dhe vlerën e durimit për të arritur lartësi të mëdha në arbitrazh. Sot, si vëzhgues pranë FSHF-së dhe koordinator i arbitrave, ai përdor përvojën e tij për të frymëzuar gjeneratat e reja dhe për të ndihmuar arbitrat e rinj të kalojnë sfidat e karrierës me vetëbesim dhe korrektësi. Ky 50-vjetor nuk është vetëm një festë personale për Astritin, por një reflektim i gjithë udhëtimit të tij – i mbushur me emocione, sfida, momente pikante dhe suksese që tregojnë se me pasion, vendosmëri dhe përkushtim, asgjë nuk është e pamundur.
Në këtë intervistë, ai na fton të hyjmë pas “gardhit” të arbitrazhit, të ndjejmë emocionet, vendimet e vështira dhe gëzimin e çdo fitoreje, duke frymëzuar jo vetëm arbitrat e rinj, por të gjithë ata që duan të lënë gjurmë në sport.
Astrit, sot festoni 50-vjetorin tuaj dhe një karrierë 20-vjeçare si asistent arbitri. Si ndiheni kur e shikoni pas gjithë kësaj rruge?
Ndihem i plotësuar dhe krenar për veten, sepse kur e nisa arbitrimin, e nisa me idenë që të shkoj deri ku të mundem. Por, të jem i sinqertë nuk mendoja që do arrija aty ku arrita, pra Superioren dhe aq më shumë të arbitroja në Europa League dhe madje ndeshje me West Ham. Me këtë dua t’i them arbitrave të rinj që mos i vendosin limite vetes sepse me punë, pasion dhe sakrificë ia del që çdo gjë të realizohet.
Cili është kujtimi juaj më i hershëm nga fushat e futbollit?
Me fushën e futbollit e kam shumë të hershme lidhjen. Në moshën 7-vjeçare u përzgjodha nga profesori im i parë, Raq Gugu, nga shumë fëmijë të Shkollës “Jorgji Dilo”. Isha vetëm unë ai që u zgjodha për të qenë pjesë e ekipit pionier që quhej atëherë. Ndërsa si arbitër, hera e parë që kisha kontakt ka qenë një ndeshje miqësore në Gramsh, ku Elbasani luante një miqësore dhe unë për herë të parë arbitrova si asistent.
Si ka ndikuar futbolli në jetën tuaj personale dhe familjare?
Me të vërtetë e kam dashuruar futbollin që fëmijë. Madje, kur mësuesja më pyeti çfarë do bëhesha kur të rritesha, i përgjigja pa hezitim: ‘futbollist, mësuese’. Ndikimi i futbollit ka qenë absolutisht pozitiv sepse më dha kulturën sportive, stërvitje dhe një jetë të shëndetshme pa zakone të këqija si duhani dhe alkooli. Në aspektin familjar ka pasur impakt pozitiv, sepse bashkëshortja dhe fëmijët ndjehen krenarë për mua dhe kjo më gëzon shumë.
Si u futët në botën e arbitrazhit dhe çfarë ju tërhoqi te roli i asistentit?
Në botën e arbitrimit kam hyrë krejt rastësisht prej Enea Jorgjit, i cili, edhe pse më i vogël se unë, e kishte marrë rrugëtimin e tij si asistent dhe më tha një ditë: pse nuk afrohesh të bëhesh arbitër, duke njohur sa shumë e doja futbollin. Ishte koha kur kolegjiumi i Elbasanit po ringjallej pas një momenti jo të mirë. Tek roli i asistentit më tërhoqi se duhej të ishe shumë i përqendruar në çdo moment, sidomos tek pozicionet jashtë loje dhe duhej të ishe i shpejtë në vrapime, çka unë e kisha.
Kujtimi më i paharrueshëm nga ditët tuaja të para në Superiore?
Debutimi në Superiore si treshe nga i njëjti qytet, në ndeshjen Apolonia-Bylis, e cila ishte një derbi, sepse ndesheshin dy skuadra fqinje, por edhe rivale.
Cilat ishin sfidat më të mëdha që hasët kur filluat si asistent arbitri?
Sfidat kanë qenë më shumë me veten, pra menaxhimi i emocioneve, sepse kam qenë pak emocional. Por qetësia që e karakterizonte Enean (Jorgji) më ndihmoi shumë, sepse përcillte besim tek ne dhe vetja. Dihet që tifozët tanë janë të zjarrtë, edhe kur janë pak dhe kjo është një sfidë për asistentët që janë aq afër me ta.
Ju keni arbitruar në Europa League. Si ndihesh kur je pjesë e një ndeshjeje ndërkombëtare?
Të arbitrosh në të tilla nivele është privilegj, përgjegjësi dhe kënaqësi pa diskutim.
Cili ishte momenti juaj më i veçantë në karrierën ndërkombëtare?
Momenti më i veçantë ka qenë ndeshja Birkirkara-West Ham, e cila shkoi në shtesa dhe më pas penallti, të cilat u gjuajtën nga krahu im.
Si përgatiteshit për ndeshjet më të vështira dhe ato me presion të lartë?
Në momentin që të vjen ndeshja, fillon të përgatitesh psikologjikisht dhe teknikisht, duke njohur lojtarët problematikë që mund të kenë skuadrat, p.sh. një mbrojtës që luan jo korrekt dhe ti duhet ta mbash në kontroll duke i folur herë pas here, ose një sulmues simulues. Duke njohur mënyrën e lojës së secilës skuadër e ke më të lehtë të arbitrosh ndeshjen.
Ju keni arbitruar edhe derbin Tirana-Partizani. Si përballuat tensionin dhe pritshmëritë e tifozëve?
Kjo për mua personalisht ishte ndeshja e karrierës. Të them të drejtën, nuk kam fjetur fare natën para ndeshjes nga gëzimi dhe emocionet. Edhe pse kishte gjithsej 160 arbitra dhe asistentë, në momentin që zbrisja në fushë, emocionet ktheheshin pozitive dhe jepja maksimumin gjithmonë.
Cilat janë mësimet më të rëndësishme që keni nxjerrë nga karriera juaj 20-vjeçare?
Nëse punon fort, je i ndershëm dhe jep maksimumin sa herë të kërkohet, asgjë nuk është e pa arritshme.
Cili ishte vendimi më i vështirë që keni marrë në fushë dhe si e menaxhuat situatën?
Në ndeshjen Teuta-Flamurtari, një lojtar sulmues kercen me kokë por nuk e prek topin, por për shumë pak e prek dhe topi shkon tek një bashklojtar i tij që shënon. Nëse topi do ishte prekur nga lojtari tjetër, do e kishte nxjerrë jashtë loje. Eksperienca dhe informacioni në kohë e ndihmuan vendimin të ishte i saktë.
Si e mbajtët gjithmonë qetësinë dhe objektivitetin gjatë ndeshjeve me tension të lartë?
Qetësinë dhe objektivitetin e kam mbajtur duke njohur mirë veten dhe vlerat e shokëve të ekipit, sepse arbitrat janë ekip, nga kryesori, asistentët dhe tani edhe VAR.
Sa ka ndryshuar futbolli dhe arbitrazhi në 20 vitet e fundit dhe si i keni përshtatur metodat tuaja?
Futbolli ka bërë progres, është më atletik, më taktike dhe më i shpejtë se dikur. Edhe pjesa jonë e arbitrave është përgatitur fizikisht dhe teknikisht. Një ndihmë e madhe për skuadrat dhe arbitrat është sistemi VAR.
Aktualisht jeni vëzhgues pranë FSHF-së dhe koordinator i arbitrave. Si po e përdorni përvojën tuaj për të ndihmuar gjeneratat e reja?
Eksperiencën time ia transmetoj brezave të rinj duke i dhënë këshilla pas ndeshjeve, siç kanë bërë të tjerët me ne kur ishim të rinj dhe pa eksperiencë.
Cilat janë sfidat kryesore që hasin arbitrat e rinj sot?
Sfidat janë të shumta, por ajo që unë do të nënvizoj është frenimi i egos. Shumica e të rinjve duan gjithçka të marrin shpejt dhe nuk janë të durueshëm, gjë që është negative. Duhet të kalosh të gjitha hallkat dhe qershia mbi tortë është kategoria Superiore, që unë me shaka i them arbitrave të rinj se aty noton me peshkaqenët.
Cili është këshilla juaj kryesore për ata që duan të ndjekin rrugën tuaj në arbitrazh?
Punë, pasion, sakrificë, ndershmëri dhe pastaj asgjë nuk është e pamundur.
Çfarë do të donit të kujtohet nga karriera juaj si arbitër dhe asistent?
Do doja të kujtohesha për temperamentin tim.
Si e shihni të ardhmen e arbitrazhit shqiptar dhe rolin e të rinjve?
Patjetër që e ardhmja do të jetë edhe më e mirë. Jam besimplotë për këtë dhe të rinjtë do të jenë ata që do ta bëjnë këtë gjë.
Në këtë 50-vjetor, çfarë mesazhi do t’u jepnit tifozëve, kolegëve dhe komunitetit të futbollit?
Tifozëve u them shijojeni ndeshjen e ekipit tuaj, mbështeteni pa kushte, si kur është mirë dhe kur është keq. Arbitrat janë njerëz si ju, madje mund të jenë vëllezër ose motra juaj, respektojini ata. Kolegëve u them jepni maksimumin sa herë ju kërkohet dhe patjetër, gabimet janë pjesë e lojës, por mundohemi t’i minimizojmë. Komunitetit të futbollit i them të jenë mbështetës dhe gjithmonë të gatshëm për të bërë më të mirën për futbollin, sportin më popullor në botë.
Intervistoi: Vladimir Mema