ELBASAN ,19 gusht 2026/Albania Express News/-AF Elbasani ka zyrtarizuar afrimin e Kleandro Lleshit .Mbrojtësi 26-vjeçar nga kjo javë është pjesë e skuadrës elbasanase. Pas arritjes së marrëveshjes, Lleshi ka firmosur kontratën dhe i është bashkuar ekipit në stërvitje.
Mbrojtësi ka një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin shqiptar, pasi më parë ka veshur fanellat e Tiranës, Laçit dhe Kukësit. Afrimi i tij pritet të forcojë repartin defensiv të AF Elbasanit, veçanërisht në qendër të mbrojtjes, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa dhe duke rritur konkurrencën brenda skuadrës.
Lleshi vjen te nënkampionët e Shqipërisë pas një eksperience të mbyllur para kohe te Tirana. Mbrojtësi u largua nga bardheblutë pas problemeve financiare të klubit dhe vonesave në shlyerjen e detyrimeve ndaj tij.
Situata përfundoi edhe në rrugë gjyqësore, pasi futbollisti iu drejtua organeve përkatëse për detyrimet financiare, ndërsa më pas palët ndërprenë kontratën përpara përfundimit të sezonit.
Me afrimin e Lleshit, AF Elbasani vijon të ndërtojë skuadrën për sezonin e ri, duke synuar të konsolidojë repartin e mbrojtjes dhe të jetë sa më konkurruese në objektivat e saj.

