TIRANË,2 qetshor 2026/Albania Express News/Kryeministri Edi Rama ka inkurajuar SPAK për hetimin e nisur mbi origjinën e pronës në Zvërnec në të cilën do të bëhet investimi.
Gjatë konferencës së sotme para gazetarëve, Rama u shpreh se është bllokuar transaksioni i investitorëve drejt pronarëve të kësaj prone, duke e cilësuar këtë si akt arbitrar.
Ai shtoi më tej që teksa hetimet vijojnë për origjinën e pronës, investimi nuk do të ndalet.
Edi Rama: Kjo e SPAK-ut (i referohet hetimit të SPAK) ka dy pjesë: pozitive, që i takon SPAK-ut, dhe atë të shëmtuar, që u takon zëdhënësve të vetëofruar të SPAK-ut.
Pjesa pozitive është ajo e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Është shumë pozitive që SPAK-u ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim.
Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetëofruar, të cilët ndanë me opinionin publik gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, pasi investitorët që janë sot zotëruesit e pronës, duke ndjekur të gjitha procedurat që parashikon ligji shqiptar, janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm. Burimet financiare të tyre, përmes të cilave është kryer pagesa te zotëruesit e pronës, sepse janë disa, janë verifikuar edhe më imtësisht nga Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Investitorët janë në të drejtën e tyre, bllokimi i transaksionit nga ana e autoriteteve është arbitrar dhe negativ. Bllokimi i kalimit të parave te pronari për të cilin ka dyshime është një çështje e drejtë e organit hetimor.
Madje, unë e konsideroj pozitive edhe këtë, sepse në këtë mënyrë investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm, ndërsa në rast se hetimi nxjerr në pah një origjinë tjetër të pronës, ata që e pretendojnë atë fare mirë mund t’i marrin këto para. Kështu, të gjitha palët janë të lumtura, përveç palës që ka mashtruar, nëse vërtet ka mashtruar po këtë e tregon hetimi.
Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do jem këtu, ndërkohë jam i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime por duhet të sqarojmë për çfarë janë pretendimet.

