Namik Dokle vlerësohet me “Çmimin e Karrierës” në Panairin e Dytë “Libri dhe tradita” në Preshevë: “Kjo ngjarje më dha një ndjesi të veçantë”

PRESHEVË ,13 korrik 2026/Albania Express News/-Panairi i Dytë “Libri dhe tradita”  në Preshevë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke mbledhur autorë, botues dhe personalitete të njohura të letërsisë. Një nga momentet më të spikatura të këtij edicioni ishte vlerësimi i politikanit dhe shkrimtarit Namik Dokle, i cili u nderua me “Çmimin e Karrierës”, ndërsa emocionet e kësaj përvoje i ndau edhe me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

Në një postim në Facebook, Dokle u shpreh se gjatë jetës së tij ka marrë pjesë në shumë panaire libri, duke përmendur qytete si Tirana, Madridi, Athina, Shkupi, Prishtina, Ulqini, Shkodra, Lezha, Kamza, Fieri dhe Roskoveci. Megjithatë, sipas tij, Panairi i Librit në Preshevë zë një vend të veçantë në kujtesën dhe përjetimet e tij.

“Panairi i Preshevës më dha një ndjesi të veçantë: emocion e dashuri për librin, kulturën, fjalën e pastër shqipe. Dhe një dëshirë; të jemi më pranë atyre njerëzve, të cilët kanë më shumë nevojë”, shkruan Dokle në mesazhin e tij, duke vënë theksin te rëndësia që ka ruajtja e gjuhës shqipe dhe mbështetja për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.

Ai shprehu gjithashtu falënderime të veçanta për organizatorët e aktivitetit, të cilët i përgëzoi për organizimin e panairit, si dhe mirënjohje për jurinë që e nderoi me “Çmimin e Karrierës”, një vlerësim për kontributin e tij shumëvjeçar në letërsinë dhe jetën publike shqiptare.

Ndërkohë, aktiviteti kulturor u shoqërua edhe me takime institucionale. Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, zhvilloi një takim me Rita Petron , autore e njohur dhe bashkëthemeluese e shtëpisë botuese ALBAS, me të cilën diskutoi mbi organizimin e Panairit të Librit “Presheva 2026”.

Sinani vlerësoi lart kontributin e shtëpisë botuese ALBAS si bashkorganizatore, së bashku me Bibliotekën e Qytetit, duke theksuar se panairi synon të afrojë lexuesin me librin, autorët me publikun dhe institucionet me përgjegjësinë e përbashkët për promovimin e kulturës, dijes dhe gjuhës shqipe.

Sipas saj, falë bashkëpunimeve të tilla, Presheva po ndërton një hapësirë kulturore gjithnjë e më të gjallë, ku libri dhe arsimi zënë vendin që meritojnë.

Në kuadër të panairit, Kryetarja e Komunës mirëpriti edhe Ministren e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, me të cilën vizitoi Panairin e Librit “Libri dhe Tradita”, që organizohet për të dytin vit radhazi në Preshevë.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e mbështetjes së kulturës, artit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar, si dhe gatishmëria për të thelluar bashkëpunimin në projekte të përbashkëta mes institucioneve të Kosovës dhe Komunës së Preshevës.

Panairi i Dytë i Librit në Preshevë po konfirmohet kështu si një ngjarje me peshë kulturore për shqiptarët e Luginës, ndërsa mesazhi i Namik Dokles, i shoqëruar me vlerësimin prestigjioz të marrë, i ka dhënë këtij aktiviteti një jehonë edhe më të madhe, duke rikujtuar se libri, kultura dhe gjuha shqipe mbeten ura më e fortë që lidh shqiptarët kudo që ndodhen.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Edi Rama: “Ballkani i Hapur” u konsiderua ide e tmerrshme thjesht sepse unë dhe Vuçiç ishim pas saj

TIRANË, 13 korrik 2026/Albania Express News/- Kryeministri Edi Rama...

Argjentina, jo vetëm finalen e madhe të Botërorit, Emiliano Martinez kërkon të vendosë dhe një rekord

BOTËRORI 2026 ,13 korrik 2026/Albania Express News/-Ndeshja gjysmëfinale mes...