NGA FATMIR POPJA
LIBRAZHD , 24 prill 2026/Albania Express News/Një nga arteriet më të rëndësishme të botës antike, Via Egnatia, sot po përballet me një nga sfidat më të mëdha të ekzistencës së saj në territorin shqiptar. E konsideruar si një ndër 12 rrugët më të famshme të historisë së njerëzimit, kjo rrugë që dikur lidhte Perëndimin me Lindjen, mbart një vlerë të jashtëzakonshme historike, kulturore dhe turistike. Në segmentet që përshkojnë vendin tonë , por edhe në zonën e Librazhdit, ajo po degradon çdo ditë përballë mungesës së vëmendjes institucionale dhe ndërhyrjeve të pakontrolluara.
Në fshatrat Xhyrë, Dardhë, Spathar, Babje, Polis dhe Mirakë, përgjatë anës së majtë të rrjedhës së lumit Shkumbin, fatmirësisht ruhen ende segmente të konsiderueshme të kësaj rruge historike. Ato përmbajnë elementë autentikë si kalldrëmet e lashta, trotuaret, si dhe ura me harqe që dëshmojnë nivelin e avancuar të inxhinierisë romake. Këto mbetje janë një muze i hapur, një dëshmi e gjallë e një epoke që formësoi komunikimin dhe zhvillimin ekonomik të kontinentit.
Por kjo pasuri e rrallë sot është e pambrojtur. Mungesa e sinjalistikës orientuese dhe informuese, si dhe mungesa e monitorimit institucional, kanë bërë që shumë segmente të Via Egnatia të shndërrohen në rrugë të improvizuara për qarkullim automobilistik. Ky fenomen u theksua ndjeshëm gjatë pranverës së vitit 2026, kur bllokimi i aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, pas shembjes në vendin e quajtur Arratve Gurrës në zonën e Dragostunjës, e ktheu këtë rrugë antike në një alternativë emergjente për qarkullimin e automjeteve. Përdorimi i saj në këtë mënyrë përshpejtoi ndjeshëm procesin e degradimit fizik të strukturës së saj mijëravjeçare.
Kjo situatë nxjerr në pah një problem më të thellë ,mungesën e një strategjie të qartë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në raport me zhvillimin infrastrukturor. Në vend që të trajtohet si një aset kombëtar që kërkon konservim dhe valorizim, Via Egnatia po lihet në mëshirë të rrethanave, duke reflektuar një lloj “erozioni institucional”, ku prioritet i jepet zgjidhjeve të përkohshme dhe jo mbrojtjes afatgjatë.
Një tjetër kërcënim serioz është asfaltimi i segmenteve të saj, siç ka ndodhur në periferi të Peqinit. Ndërhyrje të tilla, të kryera pa një studim të thelluar dhe pa respektuar standardet e konservimit, e dëmtojnë rëndë autenticitetin e rrugës. Ato jo vetëm që zhdukin gjurmët origjinale, por edhe e transformojnë këtë monument historik në një infrastrukturë të zakonshme, duke i hequr vlerën identitare.
Në fillim të vitit 2026, rreziku i zhdukjes së kësaj rruge nuk është më një skenar hipotetik, por një realitet i prekshëm. Çdo ditë që kalon pa ndërhyrje konkrete është një hap më pranë humbjes së një prej korridoreve më të rëndësishme historike të Ballkanit.
Megjithatë, në këtë panoramë shqetësuese, ka edhe një rreze shprese. Banorët e zonave ku kalon kjo rrugë kanë nisur iniciativa për ta promovuar dhe mbrojtur atë. Ata janë mbështetur nga intelektualë, guida turistike dhe përfaqësues të pushtetit vendor, përfshirë kryetarin e bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha. Këto përpjekje synojnë ta kthejnë këtë trashëgimi në një destinacion të rëndësishëm turistik, sidomos për vizitorët e huaj të apasionuar pas historisë dhe rrugëve antike.
Potenciali është i jashtëzakonshëm. Me një menaxhim të duhur, Via Egnatia mund të shndërrohet në një korridor turistik ndërkombëtar, që lidh kulturën, natyrën dhe historinë, duke sjellë zhvillim ekonomik për zonën dhe duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e trashëgimisë kulturore.
Por për ta arritur këtë, nevojitet një ndërhyrje urgjente dhe e koordinuar institucionale. Kjo përfshin identifikimin dhe hartëzimin e plotë të segmenteve ekzistuese, shpalljen e tyre si zona të mbrojtura, vendosjen e sinjalistikës përkatëse dhe ndalimin e çdo ndërhyrjeje që cenon strukturën origjinale. Pa këto masa, rrezikojmë që një nga rrugët më të rëndësishme të historisë njerëzore të mbetet vetëm në libra dhe harta, ndërsa në terren të zhduket përgjithmonë.
Në fund, pyetja nuk është më nëse duhet ta mbrojmë këtë trashëgimi, por sa shpejt mund të veprojmë për ta shpëtuar atë. Sepse çdo vonesë është një humbje që nuk rikuperohet.


