Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu u shpreh sot nga podiumi i ngritur në sheshin “Skënderbej”, në protestën për mbështetjen e krerëve të UÇK-së, se ky organizim në zemër të Tiranës ndodh për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar.
“Jemi këtu për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për lirinë e atdheut”, tha Moisiu.
Ish-Presidenti ndau edhe përjetimet personale gjatë takimit në paraburgimin e Gjykatës së Hagës në vitin 2022 me Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin.
“Me këta burra kuptova dhe pashë se ata trima nuk ishin frikësuar, por mbeteshin burra të fortë, të qetë dhe të gatshëm për t’u sakrifikuar për pastrimin e luftës së UÇK-së nga njollat që padrejtësisht që po përpiqen t’i japin ata që nuk ja duan të mirën shqiptarëve”, tha Moisiu.
“Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia, çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet. Unë besoj se drejtësia do bëjë detyrën e saj dhe do të jetë në krahun e katër udhëheqësve të UÇK-së që janë burgosur pa prova dhe me akuza të fabrikuara në qarqet serbo-ruse”, pohoi ai.
Moisiu tha se lufta e UÇK-së u mbështet nga NATO, nga SHBA dhe partnerë të rëndësishëm perëndimor. Në këtë kuadër, sipas tij dëshmitarët zyrtarë amerikanë që po dëshmojnë në Hagë po sjellin prova që vërtetojnë pafajësinë e udhëheqësve të UÇK-së.
“Shqiptarë njihen si luftëtarë dhe kanë luftuar ndër shekuj, në kohën e Skënderbeut, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe UÇK-së. Është koha që të mos heshtim, por të qëndrojmë sa më lartë që të mbrojmë të drejtën tonë. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, ajo u fitua me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. Ne duhet të jemi të bashkuar për të mbrojtur fatet e kombit tonë”, përfundoi Moisiu .