Moderatorja e emisionit “Autokton”, Anila Ahmataj, zbulon sesi u popullua dhe themelua fshati Mërtiraj i krahinës së Gorrishtit të Vlorës

Nga Anila Ahmataj 

Aty ku mëngjesi zgjohet nga cicërima e zogjve dhe era freskuese përhap bukuri natyrore, shtrihet krahina e Gorrishtit. Të tre fshatrat Mërtiraj, Hadëraj dhe Rexhepaj bashkohen në një peizazh që duket si përrallë. Kodrat që rrezatojnë diell, luginat që mbushin frymën me ajër të pastër, pyjet që ruhen prej kohësh si ruajtës të një historie të lashtë.

Në këto troje, tradita labe gjallëron çdo ditë: kënga labe që dridhet mes zërave të grave dhe burrave, vallja e herëshme e burrave që përshkojnë kohët me hapat e tyre të fortë, këngët që flasin për dashuri, humbje, për vuajtje dhe për shpresë, për gjak dhe për lavdi. Pas çdo peizazhi të bukur fshihet një histori vuajtjeje. Banorët e kësaj krahine janë larguar, jo sepse deshën, por sepse detyroheshin prej vështirësive. Rruga që përbën lidhjen me qytetin e Vlorës, vetëm 28 kilometra nga Vlora, është braktisur, është jashtë funksionit, e parehabilituar, duke i lënë të tre këto fshatra në izolim.

Fshati Mërtiraj është një bukuri përrallore. Oborre me pemë, shtëpi të të parëve me gurë e tjegulla të vjetra, rrugica që dikur kanë dëgjuar valle e këngë, fëmijë që dikur luanin nën hijen e ullinjve, pleq që rrëfenin e kuvendonin histori sakrifice. Dikur një fshat i gjallë, i mbushur me jetë, fshati Mërtiraj qëndron sot në heshtjen e kohës, mes kujtimesh, rrënojash dhe aromës së naftës që ende ndjehet në erën e dheut. Ky fshat autokton, i vendosur në krahinën e Gorrishtit, është një nga ato vendbanime që e dëshmon fuqishëm se historia nuk shkruhet vetëm në librat e mëdhenj, por edhe në gjurmë të fshatarëve, në gurët e themeleve të shtëpive të braktisura dhe në lotët e heshtur të nënave që pritën e nuk panë më djemtë e tyre të ktheheshin nga lufta apo vdekjes nga ndotjes.

Fshati Mërtiraj është një pasuri nën dhe, me puse nafte të panumërta që për dekada kanë sjellë pasuri për të tjerët, por rrallë për vetë banorët e saj. Nafta është një nga elementët më identifikues të këtij fshati, e cila, përveç të mirave materiale, ka sjellë edhe pasoja të rënda në jetën e përditshme të njerëzve. Për vite me radhë, punëtorët vendas kanë punuar pa kushte, shpesh në rrethana çnjerëzore, duke e kthyer këtë vend në një ndër kampet më të mëdha të sakrificës dhe qëndresës njerëzore. Ata janë martirët e heshtur të punës, ata që nuk i njeh historia e madhe, por që i përkul çdo zemër që dëgjon rrëfimin e tyre.

Dikur fshati Mërtiraj kishte jetë të vrullshme. Në qendër të fshatit ngrihej një shkollë që mbushej çdo mëngjes me zërat e qeshur të fëmijëve, me tingujt e ziles së parë dhe me dashurinë e mësuesve që vinin nga Vlora apo ishin vendas. Kishte një qendër shëndetësore funksionale, kishte Mapon e kohës, kishte rrugë të shtruara me gurë dhe sheshe ku burrat kuvendonin e fëmijët luanin deri në mbrëmje. Ishte një fshat me një organizim të thellë shoqëror dhe kulturor. Një vend ku çdo fis kishte varrezat e veta, të ndara me kujdes e respekt, të ndërtuara shpesh me formë mbretërore, si për të treguar se edhe pas vdekjes dinjiteti nuk humb.

Në tokat pjellore të fshatit Mërtiraj mbizotërojnë ullinjtë dhe vreshtat. Rrushi dhe ulliri janë dy ndër kulturat më të vjetra që i kanë mbijetuar kohës dhe harresës, një dëshmi e vazhdimësisë së jetës dhe lidhjes së fortë që banorët kanë me natyrën. Maja më e lartë e kësaj krahine mban emrin “Maja e Qytetit”, një vend nga ku mund të përqafosh me sy tërë krahinën dhe të ndjesh fuqinë e historisë që flet përmes asaj pamjeje më shumë se të mrekullueshme.

Por historia e fshatit Mërtiraj nuk është vetëm ajo e zhvillimit dhe krenarisë. Ka edhe një kapitull të dhimbshëm zhvendosjeje. Për shkak të ndotjes së madhe nga era e gazit dhe naftës, për shkak të rrezikut shëndetësor që u rrezikonte jetën, pothuajse të gjithë banorët u detyruan të largoheshin. Fshati u boshatis, familjet e dikurshme u sistemuan në qytetin e Vlorës, në një lagje që sot njihet si “Pallatet e Gorrishtit”. Por ky largim nuk erdhi pa kosto. Tragjeditë e familjeve të shumta, humbja e fëmijëve dhe e të rinjve për shkak të ndotjes, e kthyen këtë histori largimi në një dhimbje kolektive që ende nuk është shuar.

Edhe pse kanë kaluar vite, dhimbja është aty, kujtimet gjithashtu. Shumë prej këtyre familjeve janë rikthyer, të paktën për të rindërtuar shtëpitë në trojet e të parëve. Kanë ngritur banesa të reja me oborre të gjelbëruara, me pjergulla që shpërthejnë në verë me rrushin e ëmbël të fëmijërisë, me oxhaqe që ngrohin jo vetëm trupin por edhe shpirtin e malluar. Kanë rikthyer frutikulturën si një formë rilindjeje dhe vazhdimësie. Fshati Mërtiraj nuk është më një fshat i braktisur, por një fshat që jeton në mënyra të reja: në zemrat e banorëve të tij, në vizitat e shpeshta që ata bëjnë, në kujdesin që tregojnë për varret e të dashurve dhe në dashurinë për tokën që i rriti.

Edhe pse jo të pranishëm përditë, banorët e Gorrishtit ruajnë me fanatizëm çdo zakon, çdo rit, çdo detaj të trashëguar ndër breza. Martesat, dasmat, ritet mortore, festat familjare, të gjitha organizohen me një respekt të thellë për traditën. E veçanta është festa vjetore “Takimi i Brezave”, një ritual i përvitshëm që mbledh të gjithë banorët e shpërndarë brenda dhe jashtë vendit në një ditë të veçantë. Këtë vit kjo festë u organizua në lagjen Mustaj të fshatit Mërtiraj, në një shesh që dikur kumbonte nga zërat e fëmijëve dhe tingujt e këmbanës së shkollës.

Në këtë ditë të paharruar, sheshi u ndriçua nga prania e brezave, nga përqafimet e mallit, nga emocionet e emigrantëve që ishin kthyer për të ndjerë dhe njëherë tokën nën këmbë. Vallja dhe kënga zënë vendin e parë në këtë festë, jo si formë argëtimi, por si mjet kujtese. Aty këndohet për dashurinë e nënës, për përkëdheljet e babait, për kuvendet e gjyshërve dhe për sakrificat e të parëve. Këngët tradicionale labe janë më shumë se muzikë, janë histori të gjalla që përcjellin ngjarje, kujtime, lavdi dhe dhimbje. Janë këngë që flasin për dëshmorët e Gorrishtit, për djemtë dhe bijat që derdhën gjak për atdheun, për burrat që mbajtën mbi shpinë jo vetëm barrën e luftës, por edhe të jetës së përditshme.

Vallja e burrave, trashëguar brez pas brezi, nuk është vetëm një koreografi. Është një akt i thellë shpirtëror. Në lëvizjet e tyre ka dinjitet, ka histori, ka dhimbje dhe krenari. Ata vallëzojnë e këndojnë njëherazi, me ligje të thella siç është zakoni i vjetër i Labërisë, për të kujtuar të rënët, për të vajtuar humbjen, për të mbajtur gjallë emrin e tyre në çdo brez.

Në këtë shesh, në këtë tokë, ku dritat e festës përplasen në fytyrat e buzëqeshura, fshati Mërtiraj shndërrohet në një amfiteatër shpirtëror. Një vend ku çdo këngë, çdo hap, çdo përqafim është një akt dashurie për vendlindjen, për identitetin, për rrënjët. Fshati që dikur u boshatis nga era e rëndë e naftës, sot mbushet nga aroma e kujtimeve dhe e dashurisë për atdheun. Sepse fshati Mërtiraj nuk është më thjesht një vend gjeografik, është një ndjenjë, një histori.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Kasa: “Nuk na rrëzon një humbje, Elbasani do të rikthehet më i fortë!”

Mesfushori i Elbasanit, Arsen Kasa, ka folur lidhur me...

Rritet numri i dosjeve të prapambetura në Apel! Gjykata ende me 1/3 e anëtarëve, në 2025 iu ul dhe buxheti

Rritet numri i dosjeve të prapambetura në Apel! Gjykata...

“Rishikoni tekstet”, PS nuk pranon kërkesat e PD për ngritjen e dy komisioneve hetimore

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u...

Protestuesit e parë nga Kosova mbërrijnë në sheshin Skënderbej

Tanimë kanë arritur protestuesit e parë në sheshin “Skënderbej”,...