TIRANË, 17 shtator 2026 /Albania Express News/ – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka mbajtur fjalën e saj në Kuvend gjatë interpelancës urgjente të kërkuar nga opozita, duke u ndalur te situata në sistemin shëndetësor, administrimi i disa shërbimeve, onkologjia, dializa, sterilizimi dhe kontrolli mjekësor bazë.
Në nisje të fjalës së saj, Spahiu theksoi se kjo ishte interpelanca e parë në detyrën e ministres dhe se ajo zhvillohej vetëm 100 orë pas marrjes së përgjegjësisë.
“Është e rëndësishme të vendosim një standard për mënyrën se si do të flasim për shëndetësinë: me transparencë, me përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, mbi bazën e fakteve”, deklaroi ministrja.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj Spahiu ia kushtoi shërbimeve të sterilizimit, hemodializës dhe kontrollit mjekësor bazë, duke argumentuar se situata aktuale e sistemit shëndetësor nuk mund të krahasohet me atë të vitit 2012.
Sipas saj, në periudhën kur u organizuan disa prej këtyre shërbimeve përmes kontratave koncesionare, sistemi publik nuk dispononte të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’i ofruar ato vetë.
Ministrja solli si shembull shërbimin e hemodializës, duke përmendur rritjen e numrit të pacientëve ndër vite, zgjerimin e shërbimit në spitalet rajonale dhe nevojën për t’i afruar shërbimet pranë pacientëve.
“Pyetja nuk është më vetëm: a mund ta ofrojë shteti këtë shërbim? Sot është një pyetje tjetër që duhet të na shqetësojë të gjithëve: a i kemi ndërtuar tashmë kapacitetet që shteti ta marrë këtë përgjegjësi?”, tha Spahiu.
Ajo deklaroi se shërbimi i sterilizimit është prej muajit prill nën drejtimin e OSHIS, ndërsa administrimi shtetëror i kontrollit shëndetësor bazë ka nisur më 11 shtator.
q
Sipas ministres, kalimi në administrim publik duhet të garantojë vijimësinë e shërbimeve dhe të mos krijojë pasiguri për pacientët.
“Qëllimi është që pacienti të mos e ndiejë ndryshimin si pasiguri. Pacienti duhet të vazhdojë të marrë shërbimin pa ndërprerje, me cilësi, me siguri dhe me përgjegjshmëri të qartë institucionale”, u shpreh ajo.
Spahiu për OSHISH: 100% kapital shtetëror
Ministrja u ndal edhe te Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, OSHISH, duke sqaruar rolin e tij në administrimin e shërbimeve.
Ajo tha se ndryshimi i emërtimit nga OSHIS në OSHISH nuk nënkupton krijimin e një institucioni të ri, por përshtatjen e një shoqërie ekzistuese me kapital 100% shtetëror për nevojat e reja të administrimit.
“Nuk kemi transferim të kompetencave publike te një subjekt privat. Përkundrazi, kemi një instrument me kapital tërësisht shtetëror që përdoret për administrimin operacional të shërbimeve specifike”, deklaroi Spahiu.
Ajo bëri edhe ndarjen e përgjegjësive mes institucioneve, duke përcaktuar Ministrinë e Shëndetësisë si institucionin përgjegjës për politikëbërjen, rregullimin dhe mbikëqyrjen; FSDKSH-në për financimin dhe kontraktimin; Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për funksionet rregullatore dhe të kontrollit; Operatorin e Blerjeve të Përqendruara për prokurimet e centralizuara dhe OSHISH-in për administrimin operacional të shërbimeve specifike.

“Në fillim të 2027-ës ose sjellim PET-scan-in, ose jap dorëheqjen”
Një nga deklaratat më të forta të ministres në Kuvend lidhej me shërbimin onkologjik dhe pajisjen PET-scan.
Spahiu deklaroi se për onkologjinë është vendosur një udhëzim i detajuar për trajtimin e pacientëve të diagnostikuar për herë të parë, si dhe për pacientët që ndiqen pas ndërhyrjeve kirurgjikale.
Ajo tha se sistemi duhet të funksionojë përmes ekipeve multidisiplinare dhe protokolleve të unifikuara.
“Bashkëpunimi i QSUT-së me Institutin e Tumoreve të Milanos ka ndihmuar në hartimin e 38 protokolleve të unifikuara”, tha ministrja.
Në vijim, Spahiu bëri një zotim publik lidhur me PET-scan-in:
“Në fillim të vitit 2027, ose e sjellim PET-scan-in, ose jap dorëheqjen. Po jua them këtu.”
Ministrja deklaroi gjithashtu se në janar pritet të nisë Instituti i Onkologjisë dhe theksoi se çdo rast onkologjik duhet të shqyrtohet nga një ekip multidisiplinar, ku përfshihen onkologu, kirurgu, radioterapisti, radiologu, anatomopatologu dhe specialistë të tjerë sipas rastit.
“Çdo orë e punës sime do të jetë në shërbim të pacientëve”t
Në fund të fjalës së saj, Spahiu foli për përgjegjësinë e drejtimit të sistemit shëndetësor dhe rolin e burimeve njerëzore.
“Unë kam 32 vjet në sistem, kam 16 vjet deputete dhe 16 vjet në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale”, tha ajo, duke shtuar se synimi i saj është që sistemi të funksionojë më shpejt dhe sipas protokolleve të përcaktuara.
Spahiu deklaroi se zyra e saj është e hapur për qytetarët nga ora 08:00 deri në 20:00 dhe se do të kërkojë raportim për çdo problem që lidhet me ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
“Sistemi shëndetësor është një aset kombëtar dhe pjesa kryesore e këtij aseti janë burimet njerëzore. Njerëzit punëtorë do ta kenë mbështetjen time deri në minutën e fundit që do të jem në këtë detyrë”, përfundoi ministrja.
Interpelanca u zhvillua në një moment kur shërbimet shëndetësore dhe mënyra e administrimit të tyre janë pjesë e debatit politik dhe publik, ndërsa ministrja Spahiu kërkoi që diskutimi të mbështetet te të dhënat, përgjegjësitë institucionale dhe mënyra konkrete se si shërbimet u ofrohen pacientëve.

