Milorad Trpkovski, Sekretar i Përgjithshëm i BTTU: “Elbasani organizoi një nga Kampionatet Ballkanike të Pingpongut më të mira të dekadës së fundit “

NGA FATMIR POPJA

Nga data 24 deri më 28 qershor 2026, qyteti i Elbasanit u kthye në kryeqendrën e pingpongut ballkanik, duke mirëpritur Kampionatin e 33-të Ballkanik të Pingpongut për të Rinjtë. Për pesë ditë me radhë, Pallati i Sportit “Tomorr Sinani” u bë arena ku u përballën talentet më të mira të rajonit, në një aktivitet që u vlerësua maksimalisht nga drejtuesit më të lartë të sportit.

Në një intervistë ekskluzive për “Albania Express News”, Sekretari i Përgjithshëm i Balkan Table Tennis Union (BTTU), z. Milorad Trpkovski, shpreh vlerësimet më të larta për organizimin e kampionatit, duke e cilësuar atë si një nga më të suksesshmit e dekadës së fundit. Ai flet për nivelin e garës, të ardhmen e pingpongut ballkanik, potencialin e Shqipërisë për organizimin e eventeve ndërkombëtare dhe veçon kontributin e jashtëzakonshëm të organizatorëve shqiptarë.

INTERVISTA

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i BTTU-së, ju falënderojmë për gatishmërinë për të zhvilluar këtë intervistë mbi Kampionatin e 33-të Ballkanik të Pingpongut për të Rinjtë, që u zhvillua në Elbasan.

Faleminderit juve për interesimin dhe për mbështetjen dhe promovimin që i jepni sportit. Është gjithmonë kënaqësi të ndajmë me publikun përvojat nga një aktivitet kaq i rëndësishëm për të rinjtë e Ballkanit.

Çfarë rëndësie ka organizimi i këtij kampionati për BTTU-në dhe për sportin në rajon?

Ky kampionat, pa asnjë dyshim, ishte ndër më të mirët e gjithë dekadës së fundit. Çdo gjë, nga momenti i parë i organizimit deri në ceremoninë përmbyllëse, funksionoi pothuajse në mënyrë perfekte.

Për herë të parë pas shumë vitesh nuk patëm ankesa serioze as nga sportistët, as nga trajnerët dhe as nga drejtuesit e delegacioneve. Kjo është dëshmi e një organizimi të shkëlqyer.

Federata Shqiptare e Pingpongut, drejtori i Klubit Shumësportësh Elbasani, z. Artin Kovaçi, dhe i gjithë qyteti i Elbasanit treguan se janë jo vetëm mikpritës të jashtëzakonshëm, por edhe organizatorë të përsosur të eventeve ndërkombëtare.

Pse u zgjodh pikërisht Elbasani dhe Shqipëria?

Kishim disa alternativa serioze. Sarajeva ishte një nga kandidatet potenciale për organizimin e këtij kampionati.

Megjithatë, Shqipëria dhe Elbasani këmbëngulën, paraqitën një projekt shumë bindës dhe fituan besimin tonë. Sot mund të them me bindje se e justifikuan plotësisht këtë vendim.

Si e vlerësoni organizimin nga Federata Shqiptare e Pingpongut dhe institucionet vendore?

E them me sinqeritet dhe përgjegjësi të plotë.

Shqipëria dhe Elbasani na kanë dhuruar surpriza shumë të këndshme. Organizimi, mikpritja, koordinimi i garave, transporti, akomodimi , ushqimi dhe çdo detaj tjetër ishte në nivel shumë të lartë.

Sa shtete morën pjesë dhe si e vlerësoni nivelin e garës?

Në kampionat morën pjesë 13 shtete .Shqipëria, Kosova, Serbia, Greqia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia, Qipro, Moldavia, Bullgaria, Rumania, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.

Dy ditët e para iu kushtuan garave ekipore për kategoritë U15 dhe U19, ndërsa në vijim u zhvilluan garat individuale, dyshet dhe dyshet mikse.

Finalet e 28 qershorit ishin kulmi i spektaklit sportiv dhe sollën emocione të jashtëzakonshme.

Kampionati u drejtua nga arbitra ndërkombëtarë me përvojë të konsiderueshme dhe niveli teknik ishte shumë i lartë, pasi shumë prej sportistëve janë pjesë e renditjeve botërore dhe konsiderohen e ardhmja e pingpongut europian.

Cilat janë objektivat kryesore të BTTU-së?

Objektivi ynë kryesor është zhvillimi i brezit të ri. Po shqyrtojmë organizimin e kampeve stërvitore ballkanike për talentet më të mira, në mënyrë që të krijojmë mundësi më të mëdha zhvillimi dhe bashkëpunimi mes vendeve tona.

A janë këto kampionate trampolinë drejt arenës europiane dhe botërore?

Pa diskutim.
Megjithatë, të gjitha federatat duhet të punojnë edhe më shumë. Bullgaria ka bërë një punë shumë të mirë, ashtu si edhe disa vende të tjera, por zhvillimi nuk ndalet kurrë. Duhet investim i vazhdueshëm në të rinjtë.

Si e shihni nivelin e pingpongut shqiptar?

Shqipëria ishte shumë mirë dhe besoj se në të ardhmen do të jetë edhe më spektakolare.

Komplimente të veçanta kam për trajneren Greta Kovaçi, të cilën e njoh prej kohësh dhe që ka bërë një punë të shkëlqyer.

Një vlerësim të veçantë dua të jap për të gjithë e sidomos edhe për z. Tonin Binoshi, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, për kontributin e tij të çmuar në finalizimin me sukses të këtij kampionati.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të ecur edhe më përpara?

E mira nuk ka fund.
Duhet punuar për ta masivizuar edhe më shumë këtë sport. Sa më shumë fëmijë të merren me pingpong, aq më e madhe do të jetë cilësia dhe konkurrueshmëria në të ardhmen.

Në fillim veçuat kontributin e drejtorit të Klubit Shumësportësh Elbasani, Artin Kovaçi. Çfarë e bën atë kaq të veçantë?

Në gjithë karrierën time sportive nuk kam njohur dhe nuk kam dëgjuar për një drejtues model dhe kaq të përkushtuar.

Ai ishte pranë çdo detaji të organizimit, duke mbështetur pa kursim të gjithë stafin.
Komplimente për këtë njeri me vlera dhe për ekipin e tij të shkëlqyer. Për klasin e treguar nga Artin Kovaçi kam folur edhe në Beograd dhe do të vazhdoj të flas kudo. Modele të tilla meritojnë të promovohen në Shqipëri dhe kudo .

Mesazhi juaj për të rinjtë?

Të rinjtë duhet të merren sa më shumë me sport. Sporti formon karakterin, disiplinën dhe krijon mundësi të mëdha për të ardhmen.

A do të organizojë Shqipëria evente të tjera të BTTU-së?

Absolutisht po.
Ky kampionat e ka certifikuar Shqipërinë si një vend plotësisht të aftë për organizimin e aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare.

Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi mes federatave?

Është thelbësor.
Përfitimet janë të shumta dhe vetëm duke bashkëpunuar mund ta zhvillojmë më tej pingpongun në Ballkan.

Çfarë ndikimi kanë evente të tilla për Elbasanin dhe Shqipërinë?

Ndikimi është i jashtëzakonshëm.
Këto aktivitete promovojnë jo vetëm sportin, por edhe turizmin, kulturën dhe imazhin ndërkombëtar të qytetit dhe të Shqipërisë.Të gjitha delegacionet përjetuan ditë plot pozitivitet.Personalisht gjatë këtyre ditëve shijova gjithçka.Më lejo të them që mora me vete edhe recetën e disa gatimeve tradicionale të qytetit të Elbasanit .Tava e kosit është fantastike .Do tjua sygjeroj të gjithëve që do vizitojnë Elbasanin ti shijojnë gatimet tradicionale të amvisave të këtij qyteti .Tani tavën e kosit do ta gatuajme edhe në shtëpinë time .Këtu më shijuan byrekët, keku , shurupi trëndafilit,gjithçka .

Çfarë risish solli ky edicion?

Kishte shumë risi organizative dhe teknike që e bënë kampionatin edhe më cilësor krahasuar me edicionet e mëparshme.

Si e vlerësoni Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”?

Infrastrukturë pothuajse e shkëlqyer.
Një sallë moderne që plotëson standardet për organizimin e garave ndërkombëtare.

Mesazhi juaj për sportdashësit shqiptarë?

Atmosfera në Elbasan ishte fantastike.
Më bëri shumë përshtypje pjesëmarrja e publikut dhe prania e personaliteteve të rëndësishme të sportit shqiptar në ceremoninë e hapjes.

Jam i bindur se pingpongu do të vazhdojë të fitojë gjithnjë e më shumë mbështetës në Shqipëri.

Ju falënderojmë për intervistën dhe për kohën tuaj.

Faleminderit juve, si edhe përkthyesit dhe mikut tonë, Muharrem Dosti. Ishte kënaqësi të ndaj këto mendime me lexuesit e “Albania Express News”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kryebashkiaku Mariglen Disha zhvillon takime në Itali, fokus bashkëpunimi mes Librazhdit dhe komunave italiane

ITALI ,29 qershor 2026/Albania Express News/-Në kuadër të një...

Turistë nga e gjithë bota shijojnë bregdetin e Vlorës

TIRANË, 29 qershor 2026 /Albania Express News/ -Vlora po...

Anatomia e një muaji rezistencë: Bilanc dhe pyetje

Nga Lutfi Dervishi TIRANË ,29 qershor 2026/Albania Express News/-Tridhjetë ditë...

Zjarr masiv në kodrat e Shtërmenit, dhjetëra forca në terren neutralizojnë flakët pas disa orësh betejë

CËRRIK ,29 qershor 2026/Albania Expres News/-Një zjarr i përmasave...