Masat për kreun e SHISH, Kryeministri Rama paralajmëron nga Nju Jorku: Shkarkim i menjëhershëm nga detyra për Vlora Hysenin

TIRANË ,22 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në “X” për masat e vendosura ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyseni.

Në reagimin e tij, ai ka paralajmëruar shkarkim të menjëhershëm nga detyra për Hysenin, ndërsa në momentin që ai do të kthehet në Tiranë, do të zgjidhet dhe kreu i ri i SHISH.
Rama momentalisht ndodhet në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshëm të OKB-së.

“Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.
Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor.
Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.
Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.
E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.
As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.
Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:
Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.
Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkruan Rama.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

E rëndë në Gjermani/ Shqiptari dhe greku në kërkim për vrasjen e 15-vjeçarit, sherri nisi për 200 euro

GJERMANI ,22 shtator 2026 /Albania Express News/-Një ngjarje e...

Gazetarja denoncon ndërhyrjen e policisë në Shkozet, UGSH Durrës kërkon hetim dhe transparencë

DURRËS, 22 shtator 2026 /Albania Express News/ – Unioni...

Dosja e AKSHI-t, Apeli i GJKKO-së lë në burg Ergys Agasin

TIRANË, 22 shtator /Albania Express News/- Gjykata e Posaçme...

Berisha për masën ndaj Hysenit: “Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës”

TIRANË, 22 shtator /Albania Express News/- Kryetari i Partisë...