ELBASAN,2 qershor 2026/Albania Express News/Në Departamentin e Letërsisë dhe Gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, u zhvillua një aktivitet i veçantë akademik me temë “Komunikimi institucional dhe aksesi i gazetarëve në institucionet publike”, duke sjellë për studentët një mundësi të vyer për të mësuar nga përvoja e drejtpërdrejtë e profesionistëve të medias dhe komunikimit publik.
E ftuara e këtij leksioni të hapur ishte znj. Manjola Hasa, Drejtore e Agjencisë për Median dhe Informimin (MIA), njëkohësisht alumne e programit “Bachelor në Gazetari” në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Prania e saj u prit me interes të madh nga studentët dhe stafi akademik, pasi ajo përfaqëson një nga figurat më të njohura të komunikimit institucional në vend.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, znj. Hasa ndau eksperiencën e saj të pasur profesionale, e ndërtuar ndër vite si gazetare dhe më pas në pozicione drejtuese të komunikimit publik. Ajo solli shembuj konkretë nga praktika e përditshme, duke ofruar këshilla të vlefshme për gazetarët e rinj mbi etikën profesionale, raportimin e saktë të informacionit dhe ndërtimin e marrëdhënieve profesionale me institucionet.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave që lidhen me aksesin e gazetarëve në informacionin publik, transparencën institucionale dhe rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore e etike në komunikimin me publikun. Studentët patën mundësinë të diskutojnë mbi rolin e medias në një shoqëri demokratike dhe përgjegjësinë që institucionet publike kanë për të garantuar informim të drejtë dhe në kohë.
Si Drejtore e Agjencisë për Median dhe Informimin në Kryeministri, Manjola Hasa drejton institucionin që koordinon komunikimin ndërmjet qeverisë, mediave dhe publikut, duke përcjellë dhe monitoruar çështjet me interes publik dhe perceptimin e tyre në hapësirën mediatike.
Karriera e saj e gjatë dhe e suksesshme në televizion, e ndërtuar mbi profesionalizëm, integritet dhe përkushtim, u paraqit para studentëve si një shembull frymëzues i rrugëtimit që mund të ndjekë një gazetar i ri. Takimi u vlerësua si një urë lidhëse mes auditorit universitar dhe tregut real të medias, duke i motivuar studentët të investojnë në formimin e tyre profesional dhe të jenë aktorë aktivë në zhvillimin e gazetarisë shqiptare.
Ky aktivitet konfirmoi edhe një herë angazhimin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” për të afruar pranë studentëve figura të spikatura të jetës publike dhe profesionale, me qëllim pasurimin e përvojës akademike dhe krijimin e mundësive për dialog të drejtpërdrejtë me ekspertët e fushës.

