NGA FATMIR POPJA
ELBASAN, 07 tetor 2026 /Albania Express News/-Manifaktura Shqiptare zbret në Elbasan, sipërmarrësit kërkojnë politika të reja fiskale për mbrojtjen e prodhimit dhe vendeve të punës
Sipërmarrës nga Bashkitë e qarkut Elbasan u bënë bashkë në një tryezë të përbashkët diskutimi ku në fokus ishin gjashtë kërkesa konkrete për Paketën Fiskale 2027, nga lehtësimi i kostos së punës te mbështetja për teknologjinë dhe automatizimin
Vëmendja kryesore ju kushtua problematikave dhe sfidave të sektorit prodhues gjatë gjithë takimit i cili u zhvillua me iniciativën e Shoqatës kombëtare “Manifaktura Shqiptare”, e cila mblodhi sipërmarrës dhe përfaqësues të biznesit nga shtatë bashkitë e qarkut.

Takimi shërbeu si një forum komunikimi mes sipërmarrjes dhe përfaqësuesve të Shoqatës, me synim evidentimin e vështirësive që kompanitë përballen në aktivitetin e tyre të përditshëm, por edhe diskutimin e zgjidhjeve konkrete për një sektor që përbën një nga hallkat e rëndësishme të ekonomisë dhe punësimit.
Në fokus të diskutimeve ishin kostot e rritura të prodhimit dhe të punës, mungesa e fuqisë punëtore, konkurrenca në tregjet ndërkombëtare, zhvillimet e kursit të këmbimit, nevoja për investime në teknologji dhe automatizim, si dhe sfidat që lidhen me përshtatjen e kompanive shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjashtë kërkesa për Paketën Fiskale 2027
Në kuadër të konsultimeve për Paketën Fiskale 2027, Shoqata “Manifaktura Shqiptare”, përmes kryetarit Florian Zekja, i ka drejtuar Ministrisë së Financave dhe ministrit Petrit Malaj një paketë me gjashtë kërkesa prioritare, duke vënë në dijeni edhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe ministren Delina Ibrahimaj.

Sipas Shoqatës, këto propozime synojnë ruajtjen e konkurrueshmërisë së kompanive shqiptare, mbrojtjen e vendeve të punës, nxitjen e investimeve dhe modernizimin teknologjik të industrisë.
Kërkesa e parë lidhet me harmonizimin e pragut të patatueshëm me pagën minimale. Shoqata kërkon që tatimi mbi të ardhurat nga paga të nisë mbi nivelin e pagës minimale dhe që ky prag të ndryshojë automatikisht sa herë ndryshon paga minimale.
Sipas argumentimit të Manifakturës, një mekanizëm i tillë do të shmangte rritjen automatike të barrës fiskale mbi punëmarrësit si pasojë e ndryshimit të pagës minimale, me ndikim të veçantë në sektorët me intensitet të lartë punësimi.
Kërkesa e dytë është lehtësimi i kostos së punës për sektorët me intensitet të lartë punësimi. Shoqata propozon reduktimin ose kompensimin e pjesshëm të kontributeve të sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi, duke e lidhur këtë masë me ruajtjen ose rritjen e numrit të vendeve të punës, formalizimin dhe korrektësinë fiskale.

Kërkesa e tretë lidhet me rritjen e normës së amortizimit fiskal nga 20% në 40% për makineritë, pajisjet dhe teknologjinë prodhuese.
Sipas Shoqatës, amortizimi i përshpejtuar do t’u mundësonte kompanive të rikuperonin më shpejt investimet dhe do të krijonte stimuj për modernizimin teknologjik, automatizimin dhe rritjen e produktivitetit.
Një tjetër kërkesë është rishikimi i tarifave doganore për lëndët e para. Shoqata kërkon reduktimin ose heqjen e tarifave doganore për lëndët e para, materialet, aksesorët dhe komponentët që nuk prodhohen në Shqipëri dhe që përdoren drejtpërdrejt në procesin prodhues.
Kjo kërkesë, sipas “Manifakturës Shqiptare”, është veçanërisht e rëndësishme për kompanitë që synojnë të kalojnë nga modeli i përpunimit aktiv drejt prodhimit me cikël të plotë dhe krijimit të produkteve shqiptare me vlerë të shtuar më të lartë.
Kërkesa e pestë është përjashtimi nga tatim-fitimi i pjesës së fitimit që riinvestohet në aktivitetin prodhues.
Propozimi parashikon që pjesa e fitimit e përdorur për blerje makinerish, teknologji, automatizim, zgjerim kapacitetesh apo investime të tjera të lidhura drejtpërdrejt me prodhimin të trajtohet ndryshe nga fitimi që shpërndahet.
Në argumentimin e Shoqatës theksohet se fitimi i riinvestuar në kapacitete prodhuese, vende pune dhe zhvillim ekonomik duhet të ketë një trajtim fiskal nxitës.
Kërkesa e gjashtë lidhet me krijimin e një skeme të posaçme grantesh për teknologjinë dhe automatizimin.
Shoqata kërkon që në politikat fiskale dhe buxhetore të vitit 2027 të parashikohet një fond i dedikuar për modernizimin teknologjik të industrisë së manifakturës, duke përfshirë investimet në makineri të avancuara, automatizim, robotikë, digjitalizim, software industrial dhe eficiencë energjetike.
Skema, sipas propozimit, mund të funksionojë mbi parimin e bashkëfinancimit shtet-biznes, duke përcaktuar një përqindje të kostos së investimit që financohet përmes grantit.

“Nuk kërkojmë privilegje, por kushte për të konkurruar”
Në dokumentin drejtuar institucioneve, Shoqata “Manifaktura Shqiptare” e lidh paketën e kërkesave me një nevojë më të gjerë për një politikë të integruar në mbështetje të industrisë prodhuese shqiptare.
Sipas saj, objektivat kryesore duhet të jenë ruajtja e punësimit, nxitja e investimeve, rritja e produktivitetit dhe përgatitja e kompanive shqiptare për konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian.
Në kushtet kur integrimi evropian pritet të kërkojë standarde më të larta teknologjike, mjedisore dhe organizative, Shoqata argumenton se kompanitë shqiptare kanë nevojë për instrumente konkrete fiskale dhe financiare që t’i ndihmojnë të përballojnë procesin e transformimit.
Mesazhi i Shoqatës është i qartë: Manifaktura Shqiptare nuk kërkon privilegje, por kushte që t’i mundësojnë sektorit të konkurrojë, të investojë, të ruajë vendet e punës dhe të vazhdojë të prodhojë në Shqipëri.

Sipërmarrësit nga Elbasani: Problematikat kërkojnë zgjidhje konkrete
Takimi në Elbasan mori një rëndësi të veçantë edhe për faktin se në tryezë u përfaqësuan sipërmarrës nga territori i shtatë bashkive të qarkut.
Diskutimet u përqendruan te problematikat reale me të cilat përballen bizneset në terren, nga kostoja e fuqisë punëtore dhe gjetja e punonjësve, te konkurrenca, kostot e prodhimit, investimet dhe nevoja për teknologji të reja.
Industria e manifakturës dhe veçanërisht sektori i fasonerisë po përballet me një krizë të thellë, me rreth 25 mijë vende pune të humbura dhe afro 150 fasoneri të mbyllura vitet e fundit. Nga rreth 65 mijë punonjës që numëronte dikur sektori, sot kanë mbetur rreth 40 mijë.
Ndërsa sipërmarrësit ngrenë shqetësimin për zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove të prodhimit dhe naftës, mungesën e fuqisë punëtore, tarifat doganore dhe vështirësitë në përfitimin e granteve. Përballë kësaj situate, Shoqata “Manifaktura Shqiptare” kërkon masa konkrete në Paketën Fiskale 2027, duke përfshirë lehtësimin e kostos së punës, nxitjen e investimeve, uljen e tarifave për lëndët e para dhe mbështetjen financiare për teknologjinë, automatizimin dhe modernizimin e industrisë.
Përfaqësuesit e biznesit theksuan se sfidat nuk janë të njëjta për çdo kompani, por kanë një pikë të përbashkët: nevojën për një klimë më të favorshme për prodhimin dhe investimin.
Në përfundim të takimit, disa prej sipërmarrësve dhanë deklarata për mediat, duke përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre.
Mes tyre ishin Florian Zekja, kryetar i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare”; Agron Hyseni, sipërmarrës nga Gramshi; Elton Miraka, përfaqësues i “Ekoleter”, me seli qendrore në Tiranë dhe aktivitet fasonerie në Gramsh; si dhe Migena Ukthaci, sipërmarrëse e një fasonerie në Gostim të Cërrikut.

Një debat që synon të shkojë përtej tryezës
Takimi i Elbasanit nuk u konceptua vetëm si një evidentim i problematikave, por si pjesë e procesit të konsultimit me sipërmarrjen për politikat ekonomike dhe fiskale të vitit të ardhshëm.
Shoqata “Manifaktura Shqiptare” ka shprehur gatishmërinë për të vijuar pjesëmarrjen në konsultimet dhe tryezat teknike për Paketën Fiskale 2027, duke argumentuar në mënyrë të detajuar secilin prej propozimeve të paraqitura.
Për bizneset prodhuese, sfida tashmë nuk lidhet vetëm me mbijetesën në treg, por edhe me aftësinë për të investuar, modernizuar teknologjinë, rritur produktivitetin dhe përballuar konkurrencën evropiane.
Nga Elbasani, mesazhi i sipërmarrësve është që politikat fiskale të mos shihen vetëm si instrument për mbledhjen e të ardhurave, por edhe si një mekanizëm për nxitjen e prodhimit, investimeve, punësimit, eksportit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të industrisë shqiptare.


