AZERBAJXHAN ,16 korrik 2026/Albania Express News/-AF Elbasani ka mbyllur në barazim pa gola pjesën e parë të sfidës së kthimit ndaj BATE Borisov, e vlefshme për turin e parë të UEFA Conference League, duke mbajtur të hapur plotësisht garën për kualifikimin.
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Elbasan Arena”, skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç po zhvillon një duel të luftuar në Azerbajxhan, ku BATE Borisov luan ndeshjet si pritës për shkak të kufizimeve që lidhen me situatën e luftës në Bjellorusi.
Verdheblutë kanë hyrë në fushë me një qasje sulmuese, ndërsa trajneri serb ka zgjedhur një formacion ofensiv, duke aktivizuar nga minuta e parë Tresën, Diallon, Hebajn dhe Nikajn në repartin e avancuar.
Pjesa e parë është karakterizuar nga ritëm i lartë dhe raste në të dy portat. Elbasani krijoi rastin më të mirë në minutën e 34-t, kur Diallo u gjend shumë pranë golit, por tentativa e tij u bllokua në momentin e fundit nga mbrojtja e BATE Borisov.

Edhe vendasit kanë qenë të rrezikshëm, sidomos me Varaksën, i cili në minutën e 25-të provoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, por portieri Aleksovski reagoi në mënyrë vendimtare, duke mbajtur të paprekur portën e Elbasanit. Pak minuta më vonë, Epito realizoi një ndërhyrje spektakolare në mbrojtje, duke ndalur Varaksën që po i drejtohej i vetëm portës.
Në aspektin disiplinor, arbitri ndëshkoi me karton të verdhë Epiton në minutën e 11-të, Neskaromnin në të 17-ën dhe Varaksën në minutën e 43-të.
Me rezultatin 0-0 në fund të pjesës së parë, gjithçka mbetet e hapur për 45 minutat e dyta. Një gol mund të ndryshojë fatin e këtij dueli, ndërsa AF Elbasani vijon të ëndërrojë kalimin në turin e dytë të UEFA Conference League.
Rezultati i pjesës së parë:
BATE Borisov 0-0 AF Elbasani
Formacionet:
BATE Borisov: Sokol, Kres, Sakhuta, Rakhmanov, Boshko, Neskaromni, Angbon, Mikhniuk, Varaksa, Puerto, Koplenko.
AF Elbasani: Aleksovski, Lila, Epito, Lulaj, K. Kasa, Ibrahim, Barjamaj, Diallo, Tresa, Nikaj, Hebaj.

Verdheblutë do të synojnë të shfrytëzojnë çdo mundësi në pjesën e dytë për të siguruar një kualifikim historik në turin pasardhës të kompeticionit europian.

