LIBRAZHD,29 maj 2026/Albania Express News/Futbolli në Librazhd pritet të përjetojë një moment të veçantë dhe mjaft emocionues, pasi skuadra e Sopotit do të zhvillojë së shpejti një ndeshje miqësore ndërkombëtare ndaj ekipit polak Motor Lublin, një klub që militon në elitën e futbollit në Poloni.
Lajmi ka ngjallur entuziazëm të madh te tifozët verdhejeshilë dhe sportdashësit e qytetit, pasi bëhet fjalë për një përballje prestigjioze që pritet të sjellë atmosferë festive në stadiumin e Librazhdit dhe të promovojë më tej emrin e klubit dhe qytetit në arenën ndërkombëtare.
Miqësorja është dakordësuar në kuadër të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Polonisë në fushën e sportit, kulturës dhe marrëdhënieve mes komuniteteve. Nisma ka ardhur gjatë vizitës zyrtare që Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, po zhvillon prej dy ditësh në Poloni, ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve edhe përmes aktiviteteve sportive.
Ka qenë vetë kryebashkiaku Disha ai që ka ndarë lajmin me tifozët e Sopotit, duke konfirmuar se shumë shpejt Librazhdi do të mirëpresë ekipin polak Motor Lublin në një sfidë miqësore që pritet të tërheqë vëmendjen e sportdashësve.
Por ajo që ka shtuar edhe më shumë interesin dhe kuriozitetin është fakti se në përbërje të ekipit polak aktivizohet edhe një futbollist me mbiemrin Lewandowski. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për yllin e njohur botëror Robert Lewandowski, ish-sulmuesin e Bayern Munich dhe Barcelonës, por për Franciszek Lewandowski, mesfushorin e Motor Lublinit, i cili pritet të jetë pjesë e skuadrës që do të vijë në Shqipëri.

Megjithatë, vetëm prania e një futbollisti me këtë emër ka mjaftuar që lajmi të marrë jehonë mes tifozëve dhe rrjeteve sociale, ku shumë sportdashës kanë komentuar me humor dhe entuziazëm “zbarkimin e Lewandowskit” në Librazhd.
Për Sopotin, kjo ndeshje konsiderohet një mundësi e mirë për të promovuar futbollin lokal, për të fituar eksperiencë ndërkombëtare dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me klube europiane. Ndërkohë, edhe për qytetin e Librazhdit pritet të jetë një aktivitet me rëndësi sportive dhe promocionale.
Atmosfera në qytet pritet të jetë mjaft festive ditën e zhvillimit të sfidës, ndërsa tifozët mezi presin të shohin nga afër ekipin polak dhe të mbështesin skuadrën e tyre në këtë përballje speciale ndërkombëtare.

