Nga Ymer Hysa
LAÇ ,28 maj 2026/Albania Express News/Ylli Çuka është një nga bijtë e familjeve të para që erdhën nga jugu i vendit në rrethin e Krujës dhe u vendosën në Kurbin në vitin 1958, fillimisht në qytetin e Milotit. Pas disa vitesh, familja e tij u shpërngul në qytetin e Laçit, i cili po merrte konturet e një qyteti të ri industrial.
Në Laç, Ylli kreu arsimin 8-vjeçar dhe më pas shkollën e mesme.
“Pasioni im ishte futbolli, por si çdo i ri më tërhiqnin edhe sportet e tjera, si pingpongu dhe basketbolli”, kujton ai.
Në pallatin ku banonte jetonin specialistë kinezë që punonin në ndërtimin e uzinës së Laçit. “I shihja me admirim teksa luanin basketboll dhe u hidhja topat kur dilnin jashtë fushe. Sa kënaqësi ishte të kapja topin e madh të basketbollit dhe t’ua ktheja! Njëri prej tyre u kthye në Shangai dhe mbetën tre. Një ditë më ftuan të luaja me ta. Ishte kënaqësia më e madhe dhe, pse të mos e them, aty nisi rruga ime drejt basketbollit”, tregon Ylli me nostalgji.
Në fakt, jo vetëm Ylli, por edhe dy motrat e tij, Mimoza dhe Luljeta, ishin sportiste të talentuara dhe të njohura në qytetin e Laçit dhe më gjerë.
Shtatlartësia e tij që në moshë të vogël tërhoqi vëmendjen e trajnerëve dhe e orientoi drejt basketbollit, ku shfaqi një talent të veçantë. Lulëzimin më të madh e arriti gjatë viteve të shkollës së mesme, kur së bashku me Ndue Frrokun, Agron Mehmetin, Lazër Gurrën, Viktor Kolën, Lutfi Likdishën, Idriz Kasën, Ridvan Resulin, Anton Kaçin, Skënder Markun, Gjeto Metën e të tjerë, nën drejtimin e trajnerit dhe mësuesit pasionant Ndue Tarazhi, formuan ekipin e të rinjve që përfaqësonte “Kastriotin” e Krujës.
“Më kujtohet kur ekipi ynë i të rinjve, në kampionatin e kategorisë së dytë, më 20 qershor 1976, mundi ekipin e fortë të ‘Labinotit’ të Elbasanit me rezultatin 58–57, ku unë shënova 34 pikë. Më 26 qershor të po atij viti fituam ndaj ‘Apollonisë’ së Fierit në Pallatin e Sportit ‘Partizani’ me rezultatin 78–68, ku realizova 24 pikë. U shpallëm kampionë të kategorisë së dytë dhe fituam të drejtën për të luajtur në kategorinë e parë”, kujton ai.
Ajo skuadër u kthye në krenarinë e qytetit dhe tifozët laçianë e ndiqnin me pasion brenda dhe jashtë qytetit. Për herë të parë, basketbolli solli në Laç atmosferën e zjarrtë sportive, ku tifozët shihnin ekipin e tyre të përballej me skuadra të mëdha si “Partizani”, “Dinamo”, “17 Nëntori” dhe “Vllaznia”.
“Me shumë mall kujtoj edhe të rinjtë e talentuar Dhurim Gjonin, Lek Ndocin, Tur Nuredinin, Arben Omin dhe Gjeto Metën, me të cilët u ngjitëm në kategorinë e parë nën drejtimin e trajnerit Pjetër Xhuxha”, shton ai.
Ylli Çuka nuk ishte vetëm një sportist i talentuar, por edhe një nxënës shembullor. Ndryshe nga shumë sportistë të kohës, ai nuk zgjodhi Fakultetin e Edukimit Fizik, por një degë të vështirë për kohën, Ekonomi-Financë në Universitetin e Tiranës.
Edhe gjatë studimeve, ai vazhdoi të spikaste në basketboll, duke u bërë një nga lojtarët më të njohur të ekipit “Studenti”, ku u dallua si pikëshënues i shkëlqyer. Falë talentit dhe formës sportive, për tre vite radhazi u rendit si pikëshënuesi i tretë më i mirë në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit, ndërsa një vit u rendit i pesti.
Performancat e tij të larta bënë që të transferohej te ekipi i Tiranës, me të cilin fitoi një kupë dhe arriti dy herë në finale. Ylli Çuka mbahet mend si një lojtar dinjitoz, me nivel të lartë teknik dhe shpirt gare, çka i mundësoi edhe grumbullimin në ekipin kombëtar.
Pas përfundimit të studimeve, ai punoi për më shumë se një dekadë si financier në Lidhjen e Shkrimtarëve. Por jeta mori një kthesë tjetër në vitin 2000, kur, si shumë shqiptarë të tjerë, emigroi në Itali, në qytetin e Breshias.
Në Itali, jeta ishte ndryshe. Mosha dhe sfidat e integrimit bënë që t’i përkushtohej punës, ndërsa basketbolli mbeti një kujtim i bukur i rinisë së tij sportive.
Megjithatë, Ylli nuk e harroi kurrë dashurinë për vendlindjen, Laçin ku u rrit, dhe Tiranën ku u arsimua e punoi. Ai vazhdon të ruajë lidhje të forta me miqtë e hershëm dhe bashkëmoshatarët, falë edhe rrjeteve sociale.
Unë pata jo vetëm fatin, por edhe nderin të takoj e të bisedoj me të madhin Ylli Çuka në qytetin e Laçit, ku kujtuam me mall vitet e bukura të rinisë, shokët e dikurshëm dhe kohën kur së bashku me qytetin hodhën shtat e u bënë pjesë e historisë sportive të Laçit.

