Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje propozoi Hekuran Muratin, aktualisht ministër i Financave, i cili mori 57 vota pro, 58 kundër dhe 6 abstenime, duke mos arritur shumicën e nevojshme.
Seanca nisi në orën 11:00 me shpresën për konstituimin e Kuvendit, por ashtu si më 22 gusht – kur kandidatët Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla nuk siguruan votat – edhe këtë herë procesi u bllokua. Seanca e radhës është caktuar për 24 gusht.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë mbi çështjen e konstituimit të Kuvendit. Sipas vendimit të saj të 8 gushtit, Kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, duke lejuar hedhjen në votim të të njëjtit kandidat jo më shumë se tri herë. Me publikimin e aktgjykimit ka nisur edhe rrjedhja e afatit ligjor. Çështja u ngrit nga PDK dhe LDK, ndërsa lidhet edhe me kërkesën e mëparshme të AAK-së.