Nga Sejdin Cekani
TIRANË, 11 tetor 2026 /Albania Express News/-Shqipëria përballet me një paradoks të madh demokratik: ka sindikata në letër, por pothuajse nuk ka sindikalizëm në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ka struktura, zyra, drejtues dhe dokumente statutore. Ka deklarata publike e kongrese, por ndikimi dhe fuqia reale në mbrojtje të të drejtave të punëmarrësve mbeten të kufizuara.
Si pasojë, zëri i organizuar i njerëzve që punojnë është dobësuar ndjeshëm, ndërsa presioni sindikal, i domosdoshëm për t’i detyruar qeveritë, institucionet dhe punëdhënësit të japin llogari e të respektojnë të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga marrëdhëniet e punës, pothuajse është zhdukur.
Në një demokraci funksionale, sindikatat duhet të përbëjnë një nga kundërpeshat kryesore ndaj pushtetit politik dhe ekonomik. Në Shqipëri, për fat të keq, sindikalizmi duket se është shndërruar në hijen e vetvetes.
Nga organizata që duhet të mbrojnë punëmarrësit, disa struktura sindikale perceptohen sot si dekor i pushtetit. Zëri i tyre është dobësuar pikërisht aty ku duhet të ishte më i fortë: përballë interesave politike, ekonomike dhe administrative.
Kur sindikata largohet nga punëmarrësi
Në vend që të përfaqësojnë punonjësit, profesionistët, administratën publike, mësuesit, mjekët, pedagogët dhe të gjithë ata që jetojnë nga puna e tyre, një pjesë e drejtuesve sindikalë është perceptuar prej vitesh si tepër e afërt me interesat e politikës.
Shfaqjet publike në krah të partive politike dhe pjesëmarrja në aktivitetet elektorale duket se zënë më shumë vend sesa prania në konfliktet reale të punëmarrësve, në mbrojtjen e kontratave kolektive apo në kërkesat për paga më të mira dhe kushte dinjitoze pune.
Dhe këtu lind pyetja thelbësore: si mund të jetë sindikata një kundërpeshë ndaj pushtetit, kur drejtuesit e saj shfaqen pranë atij pushteti pikërisht në momentet kur ky i fundit kërkon vota dhe legjitimitet politik?
Sindikalizmi nuk mund të jetë dekor elektoral, ndërsa sindikalisti nuk mund të shndërrohet në figurant në tribunat e partive. Sindikata nuk mund të funksionojë si një zyrë marrëdhëniesh publike e qeverisë apo e ndonjë force politike.
Misioni i saj është i qartë: të mbrojë punëmarrësin, pavarësisht se kush qeveris dhe cila forcë politike ndodhet në pushtet.
Misteri i pasurive të ish-Bashkimeve Profesionale
Një nga kapitujt më të diskutueshëm të tranzicionit shqiptar lidhet me fatin e pasurive që dikur administroheshin nga ish-Bashkimet Profesionale.
Shtëpi pushimi, qendra kulturore, objekte në zona turistike e malore dhe pasuri të tjera me vlerë të konsiderueshme u përfshinë, gjatë viteve, në procese transformimi, privatizimi, dhënieje me qira dhe ndryshimi destinacioni.
Por sa transparente ka qenë e gjithë kjo histori?
Cilat ishin pasuritë që administroheshin nga këto struktura? Kush u ngarkua me administrimin e tyre pas ndryshimeve politike të vitit 1990? Cilat prona u shitën, cilat u dhanë me qira dhe cilat ndryshuan destinacion? Kush përfitoi prej këtyre proceseve dhe sa prej tyre vazhduan të shërbenin realisht në interes të punëmarrësve?
Këto nuk janë thjesht pyetje retorike. Janë çështje që meritojnë përgjigje institucionale dhe dokumentim të plotë.
Nëse pasuri të krijuara ndër vite përmes kontributeve dhe veprimtarisë së organizuar të punëmarrësve janë tjetërsuar pa transparencën e nevojshme, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që nuk mund të mbyllet me heshtje, harresë apo justifikime politike.
Pikërisht këtu qëndron një nga paradokset e tranzicionit shqiptar. Për dekada me radhë është folur për privatizime, kalime pronësie dhe administrimin e pasurive publike, ndërsa për fatin e pronave të lidhura me ish-Bashkimet Profesionale kërkohet ende transparencë e plotë dhe një pasqyrë e qartë e asaj që ka ndodhur.
Pyetja nuk është nëse çdo veprim i kryer gjatë kësaj periudhe ka qenë i paligjshëm. Kjo mund të përcaktohet vetëm përmes dokumentacionit dhe verifikimeve përkatëse. Pyetja është pse shoqëria shqiptare nuk ka pasur një pasqyrë të plotë, të qartë dhe lehtësisht të verifikueshme të këtij procesi.
Një dobësi që i ka mbijetuar çdo qeverie
Gjatë më shumë se tri dekadave, pushtetet kanë ndryshuar. Kanë ardhur në qeverisje të majtë e të djathtë, kanë ndryshuar kryeministra, ministra, deputetë dhe administrata.
Megjithatë, një dukuri ka mbetur pothuajse e pandryshuar: dobësia e sindikalizmit shqiptar.
Kjo gjendje ngre dyshime dhe pikëpyetje mbi marrëdhëniet që janë krijuar ndër vite mes drejtuesve sindikalë dhe politikës. A është fjala për mungesë vullneti, paaftësi organizative, varësi politike apo për një sistem marrëdhëniesh që e ka bërë më të lehtë bashkëjetesën me pushtetin sesa përballjen me të?
Këto janë çështje që kërkojnë analizë dhe përgjigje.
Një sindikalizëm i fortë do të ushtronte presion të vazhdueshëm për rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, garantimin e sigurisë në vendin e punës, respektimin e kontratave kolektive, mbrojtjen e pensioneve dhe forcimin e të drejtave sociale.
Ai do të organizonte protesta, do të kërkonte negociata dhe do t’i detyronte institucionet të reagonin ndaj shqetësimeve të punëmarrësve.
Një organizim i tillë do t’u krijonte vështirësi qeverive, jo sepse do të ishte kund

