TIRANË, 17 shtator 2026 /Albania Express News/ – Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka bërë të ditur se është kërcënuar për shkak të detyrës dhe se për rastin ka depozituar një denoncim në Policinë e Elbasanit.
Në një intervistë televizive, Sula deklaroi se kërcënimet kanë ardhur përmes telefonatave dhe mesazheve dhe se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë.
“Para dy ditësh kam shkuar në Policinë e Elbasanit, kam bërë denoncim, pikërisht sepse më vijnë mesazhe kërcënuese, më kanë marrë në telefon me kërcënime. Kam marrë dhe nuk kam frikë. Nuk kam frikë, se nuk i kam borxh njeriu”, u shpreh Sula.
Ai theksoi se, pavarësisht presioneve, do të vijojë të ushtrojë detyrën dhe se synimi i tij është që puna e inspektorëve të kryhet pa ndikime apo ndërhyrje.
“Ju garantoj që nuk do të shpëtojë asnjë inspektor. Pavarësisht presioneve që kam, po them që kam pasur presione”, deklaroi ai.
“Nuk ka më ‘për shefin’”
Sula foli gjithashtu për mënyrën se si duhet të funksionojë struktura e inspektimit, duke paralajmëruar se askush nuk duhet të përdorë emrin e tij për të ushtruar presion apo për të justifikuar veprime në terren.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe subjekteve që të mos ndikohen në rast se emri i Inspektorit të Përgjithshëm përdoret nga persona që pretendojnë se veprojnë në emër të tij.
“Nëse do të përdoret emri i Inspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, nga një inspektor, nga një trupë inspektimi, nga një drejtues i inspektoratit rajonal, nga një drejtues i inspektoratit qendror… unë i kam bërë të gjitha të qarta. Nuk ka më ‘për shefin’, të paktën për mua”, deklaroi ai.
Marrëdhënia me Ramën: “Më riktheu dinjitetin”
Gjatë intervistës në A2 CNN, Sula foli edhe për marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama. Ai kujtoi se gjatë përballjeve të mëparshme politike Rama i ishte drejtuar me epitetin “gjeli i Peqinit”, por tha se sot e konsideron të kaluar atë pjesë të përplasjes politike.
Sula shprehu mirënjohje për emërimin e tij në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, duke thënë se kjo detyrë i ka dhënë mundësinë të dëshmojë aftësitë e tij profesionale dhe personale.
“Dua të jem 1000 herë faqebardhë para shqiptarëve, 100 herë me Edi Ramën, sepse ai burrë më riktheu dinjitetin”, tha Sula.
Ai shtoi se për të ka rëndësi që pas përfundimit të karrierës publike të lërë pas një emër të mirë.
Deklaratat e kryeinspektorit vijnë në një moment kur ai thotë se po përballet me presione dhe kërcënime, ndërsa për rastin konkret tashmë ka bërë kallëzim pranë Policisë së Elbasanit.

