ELBASAN,27 maj 2026/Albania Express News/Mijëra besimtarë elbasanas morën pjesë në faljen e Namazit të Kurban Bajramit në sheshin e Bezistanit në Elbasan, në një atmosferë të mbushur me besim, paqe, solidaritet dhe lutje për më shumë mirësi e begati për të gjithë shqiptarët.
Që në orët e para të mëngjesit, qytetarë të shumtë u mblodhën në zemër të qytetit për të kremtuar një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, duke përcjellë mesazhe harmonie, dashurie dhe bashkëjetese.
Faljen e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Ambasadori i Shtetit të Katarit në Shqipëri, Sh.T. Jabr bin Ali Al Dosari, i cili shoqërohej nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.
Falja e Namazit u drejtua nga zv/myftiu i Elbasanit, imami H. Gëzim Karaj, ndërsa ligjërata e Bajramit u mbajt nga Myftiu i Elbasanit, imami H. Agim Duka. Në fjalën e tij, ai foli për rëndësinë e familjes tradicionale si themel i shoqërisë dhe i kombit shqiptar, duke theksuar se ruajtja e vlerave familjare, respekti për prindërit dhe edukimi i brezave me moral e besim mbeten garancia më e fortë për të ardhmen e vendit.
Atmosfera e Kurban Bajramit në Elbasan dëshmoi edhe një herë traditën e bukur të kësaj feste, e cila përcjell vlera shpirtërore, unitet dhe mirësi, duke karakterizuar qytetin e Elbasanit dhe gjithë Shqipërinë.


