Kryeministri Edi Rama: Shqipëria drejt hapjes së katër universiteteve të reja ndërkombëtare në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë

TIRANË ,14 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria është pranë finalizimit të një marrëveshjeje me një nga rrjetet më të mëdha universitare në botë, me bazë në Londër, për hapjen e katër universiteteve të reja ndërkombëtare në vend.

Projekti synon të sjellë një dimension të ri në arsimin e lartë shqiptar, përmes programeve ndërkombëtare, përfshirjes së pedagogëve të huaj dhe angazhimit të akademikëve shqiptarë brenda vendit dhe në diasporë.

Sipas kryeministrit, katër institucionet do të shtrihen në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë, me profile të ndryshme akademike.

Në Fier parashikohet krijimi i një Universiteti të Ekselencës për Mjekësinë, i konceptuar si një institucion me reputacion ndërkombëtar, që do të mirëpresë studentë shqiptarë, por edhe studentë nga vende të ndryshme të botës.

“Me shumë gjasë, së shpejti, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare të botës, i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier. Universiteti mjekësor i Fierit do të jetë ndërkombëtar, me reputacion ndërkombëtar, me studentë shqiptarë dhe nga e gjithë bota”, u shpreh Rama.

Ai tha se palët janë pranë përfundimit të një studimi përfundimtar fizibiliteti, të cilin e cilësoi si shumë pozitiv.

Katër qytete, katër profile universitare

Projekti parashikon:

  • Fier – Universitet Ekselence për Mjekësinë;
  • Vlorë – Universitet i Përgjithshëm, që sipas Ramës do të jetë më i madhi ndër katër institucionet e reja dhe synohet të vendoset në qendër të qytetit, pranë Sheshit të Flamurit;
  • Korçë – Universitet i specializuar në teknologji dhe Inteligjencë Artificiale;
  • Tiranë – Universitet i Përgjithshëm.

Kryeministri theksoi se bëhet fjalë për një investim të konsiderueshëm, ku pala shqiptare do të vërë në dispozicion infrastrukturën, ndërsa partneri ndërkombëtar do të kontribuojë me staf akademik dhe ekspertizë universitare.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektit do të jetë përfshirja e pedagogëve shqiptarë, jo vetëm nga universitetet brenda vendit, por edhe nga diaspora.

Mësimi pritet të nisë në vitet 2027–2028 dhe 2028–2029

Sipas planit të bërë publik nga kryeministri, marrëveshja synohet të përfundojë brenda vitit 2026. Dy prej universiteteve pritet të nisin procesin mësimor në sezonin akademik 2027–2028, ndërsa dy institucionet e tjera në sezonin 2028–2029.

Në përfundim të këtij procesi, Shqipëria synon të ketë katër institucione të reja të arsimit të lartë me profil ndërkombëtar, duke zgjeruar hartën universitare përtej Tiranës dhe duke synuar tërheqjen e studentëve të huaj.

Projekti, nëse realizohet sipas këtij kalendari, do të përfaqësonte një nga investimet më të rëndësishme në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë shqiptar, veçanërisht në fusha strategjike si mjekësia, teknologjia dhe inteligjenca artificiale.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

PD: Arsimi shqiptar në gjendje të rëndë dhe jashtë çdo standardi

TIRANË ,14 shtator 2026 /Albania Express News/-Anëtarja e kryesisë...