Ekipi i Elbasanit po vijon qetësisht dhe me vetëbesim përgatitjet për sfidën e radhës ndaj Dinamos. Gjatë javës, verdheblutë kanë zhvilluar seanca intensive stërvitore, të fokusuara tek ritmi i lojës, organizimi defensiv dhe efikasiteti në sulm – tre elementë që kanë qenë baza e ecurisë pozitive të skuadrës deri tani. Atmosfera në grup është e qetë, e kontrolluar dhe e mbushur me përgjegjësi, pasi kjo ndeshje vjen në një moment delikat ku Elbasani synon të blindojë kreun dhe të ruajë formën e shkëlqyer.
Optimizëm i lartë tek verdheblutë
Katër fitoret radhazi kanë transformuar moralin e ekipit. Elbasani po tregon stabilitet, disiplinë taktike dhe rritje të dukshme në konkretizimin para portës. Stafi teknik është i bindur se skuadra po kalon momentin më të mirë sezonal dhe dëshiron që kjo formë të shpërthejë pikërisht përballë një rivali direkt si Dinamo. Qartësia taktike është e dukshme: ritëm i lartë, presion konstant dhe vetëbesim në çdo fazë të lojës. Ndeshja shihet si një mundësi e artë për të konsoliduar kreun dhe për t’i dërguar kampionatit një sinjal të fortë se verdheblutë janë kandidatë seriozë për objektivat madhorë.
“S kuadra është e karikuar dhe e ndërgjegjshme për momentin që po kalon. Kjo ecuri duhet të shërbejë si forcë shtytëse, jo si presion”, ishte mesazhi nga brenda klubit.
Grupi i plotë, luks për stafin teknik
Përballë Dinamos, Elbasani pritet të zbresë në fushë me grup të plotë. Asnjë lojtar nuk është i pezulluar apo i dëmtuar, duke i dhënë trajnerit luksin të ketë në dispozicion çdo alternativë. Kjo ka krijuar qetësi në punën javore dhe shumë mundësi zgjedhjeje në çdo repart. Plani është i qartë: nuk preket boshti i formacionit fitues, ndërsa ndryshimet eventuale do të vijnë vetëm nëse loja e kërkon, sidomos në mesfushë dhe në krahët e sulmit ku intensiteti është i lartë.

