Kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rahman Kasa: Protestat kundër investimeve nuk i shërbejnë zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë

TIRANË, 2 qershor 2026/Albania Express News/ Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rahman Kasa, reagoi lidhur me debatet dhe protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke theksuar se investimet strategjike në turizëm janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe forcimin e pozicionit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të turizmit.

Kasa u shpreh se kundërshtimet ndaj një investimi që, sipas tij, kap vlerën e mbi 4 miliardë eurove, nuk i shërbejnë zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë shqiptare.

“Pakënaqësia dhe protestat e qytetarëve shqiptarë kundër një investimi mbi 4 miliardë euro që do të realizohet në sektorin e turizmit, qoftë për pretendime mbi mbivendosje pronash në Zvërnec apo për shqetësime të ngritura nga ambientalistë, nuk mendoj se i shërbejnë zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Përkundrazi, mendoj se këto situata u shërbejnë vendeve kufitare që nuk duan zhvillimin tonë dhe që përmes manipulimeve apo organizimeve të fshehta synojnë të largojnë investitorët drejt vendeve të tyre”, deklaroi ai.

Sipas Kasës, investime të këtij niveli, që sjellin në Shqipëri marka ndërkombëtare si “Mandarin Oriental”, “Aman” apo “Atlantis”, ndikojnë në rritjen e profilit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Investime të tilla rrisin emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, rrisin vlerën e pronës, krijojnë mundësi për sipërmarrjet vendase dhe forcojnë pozicionin ndërkombëtar të destinacionit turistik shqiptar”, tha ai.

Kreu i Unionit Turistik Shqiptar nënvizoi se respektohet e drejta e qytetarëve për të protestuar, por shtoi se projektet strategjike nuk duhet të refuzohen apriori.

“Ne respektojmë të drejtën e çdo qytetari për të protestuar dhe kërkojmë që çdo projekt të zbatohet me standardet më të larta mjedisore dhe ligjore. Por, në të njëjtën kohë, Shqipëria nuk mund të refuzojë investime strategjike që rrisin konkurrueshmërinë e turizmit tonë në Mesdhe dhe sigurojnë mbi 10 mijë vende pune, duke e kthyer zonën në një nga motorët më të rëndësishëm ekonomikë të vendit”, u shpreh Kasa.

Ai theksoi se debati për investimin në Zvërnec duhet të mbështetet mbi fakte, transparencë dhe interesin afatgjatë të vendit.

“Është e rëndësishme që debati për investimin në Zvërnec të bazohet mbi të vërteta, fakte, transparencë dhe interesin afatgjatë të Shqipërisë, jo mbi emocione apo dezinformim”, deklaroi ai.

Lidhur me pretendimet për mbivendosje pronash, Kasa tha se ato duhet të trajtohen përmes institucioneve ligjore.

“Nga deklarimet publike, projekti zhvillohet mbi prona private të blera në mënyrë të ligjshme, por nëse ka pretendime për mbivendosje pronash, atëherë kjo çështje duhet të ndiqet në rrugë gjyqësore dhe qytetarët duhet të kërkojnë garanci nga shteti në rast se gjykata u njeh të drejtën”, tha ai.

Kasa kritikoi gjithashtu përfshirjen, sipas tij, të qarqeve politike greke në këtë debat.

“Në vend që të kontribuojnë për rritjen e miqësisë mes dy popujve që jetojnë pranë njëri-tjetrit prej mijëra vitesh, bëhen deklarata për grabitje të pronave të minoritarëve grekë në Vlorë dhe nxiten emigrantë të organizuar për protesta”, u shpreh ai.

Sa i përket shqetësimeve mjedisore, Kasa theksoi se turizmi modern ndërkombëtar mbështetet pikërisht te mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit.

“Turizmi modern ndërkombëtar bazohet te ruajtja e natyrës, biodiversitetit dhe trashëgimisë kulturore, si dhe respektimi i standardeve mjedisore, por jo te bllokimi apriori i investimeve që mund të transformojnë pozitivisht ekonominë kombëtare”, tha ai.

Në përfundim, Kasa e cilësoi Zvërnecin një nga pasuritë më të mëdha turistike të Shqipërisë dhe theksoi nevojën për zhvillim me vizion afatgjatë.

“Sfida jonë nuk është ta lëmë Zvërnecin të pazhvilluar, por ta zhvillojmë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe vizion afatgjatë, në mënyrë që brezat e ardhshëm të trashëgojnë një destinacion më të fortë ekonomikisht, më të vizituar dhe më të vlerësuar në hartën turistike të Mesdheut”, deklaroi Kasa.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Deputeti i PS publikon foton e autobusit nga Greqia në protestën e Zvërnecit, Bido: Ju sfidoj, është me targë greke!

VLORË,2 qershor 2026/Albania Express News/Deputeti i PS i qarkut...

Zvërneci dhe gjurmët e Abdyl Frashërit në bregdetin e Vlorës.

PËRMET,2 qershor 2026/Albania Express News/Fakte historike që hedhin dritë...

Kejsi Jazxhi, “motra” e Dua Lipes?

TIRANË,2 qershor 2026/Albania Express News/Kejsi Jazxhi është një këngëtare...