Kolegji Zgjedhor ka vendosur me shumicë votash rrëzimin e padisë së paraqitur nga Partia Demokratike. Vendimi është i formës së prerë dhe nuk lejon më ankim.
Gjatë seancës, Partia Socialiste kërkoi si provë shtesë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, krahas vendimeve për shpërndarjen e mandateve, të sjellë edhe kërkesat ankimore për 12 vendimet e dhëna më herët.
Avokati Eridian Salianji, kundërshtoi këtë kërkesë duke argumentuar se këto prova nuk kanë lidhje me objektin e gjykimit, pasi për vendimet në fjalë ka hyrë në fuqi forma e prerë. Sipas tij, gjykata po tejkalon kompetencat ligjore duke bërë një “gjykim ekstra” dhe duke cenuar vendime që nuk janë objekt i padisë aktuale.
“Ne kërkojmë një kopje të të gjitha provave të paraqitura. Meqë u sollën dokumente jashtë procesit gjyqësor, kërkoj edhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Tiranën. Dua 12 vendimet për shpalljen e mandateve si dhe çdo vendim që ka ndryshuar ato,” – deklaroi Salianji.