Kokainë në Portin e Durrësit/ Sekuestrohen 41.3 kilogramë, droga me vlerë rreth 2 milionë euro ishte fshehur në një kontejner nga Brazili

DURRËS, 14 shtator 2026 /Albania Express News/- Një tjetër tentativë për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës drejt Shqipërisë është goditur në Portin e Durrësit, ku Policia ka sekuestruar 41 kilogramë e 350 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me një vlerë tregu të përllogaritur në rreth 2 milionë euro.

Operacioni policor është koduar “Anchor 3” dhe është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.

Sipas Policisë, lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit të imtësishëm të një kontejneri me origjinë nga Brazili, i cili, bazuar në dokumentacionin shoqërues, deklarohej se transportonte mish pule.

Gjatë kontrollit, efektivët konstatuan në kapakët e jashtëm të kontejnerit 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike. Pas verifikimeve, sasia totale e sekuestruar rezultoi 41 kg e 350 gramë kokainë, ndërsa vlera e saj në treg përllogaritet rreth 2 milionë euro.

Ky operacion merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se, sipas Policisë së Shtetit, brenda një muaji janë goditur tre raste të tentativës për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri përmes Portit të Durrësit.

Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, zbardhjen e itinerarit të lëndës narkotike, përcaktimin e destinacionit të saj dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME