Klodjan Braho: Krimi zgjedhor mbetet shqetësues, SPAK vepron vetëm mbi bazën e provave

TIRANË, 15 korrik 2026 /Albania Express News/ -Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale shqyrtoi sot projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2025”. Gjatë raportimit, kreu i SPAK, Klodjan Braho, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës mbi krimin zgjedhor, hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe dosjet në proces.

I pyetur për krimin zgjedhor, Braho e cilësoi atë si një fenomen shqetësues, duke theksuar se nuk është një problem i krijuar së fundmi, por i akumuluar ndër vite.

“Krimi zgjedhor është një fenomen shqetësues dhe neve na shqetëson si prokurori. Nuk është një fenomen me të cilin pajtohemi. Nuk është krijuar brenda një apo dy vitesh, por ka një periudhë të gjatë kohore. Duhet të kuptohet se çështjet përfundojnë në akuza vetëm kur gjenden prova. Pa prova nuk mund të ngrihen akuza. Nuk shoh ndonjë standard të dyfishtë mes përfaqësuesve të njërës apo tjetrës palë. Mendoj se ky është një perceptim politik. Nga ana jonë nuk nisemi me perceptime, por me atë që përmban dosja. Ju siguroj se, nëse dosjet kanë provat e nevojshme, kushdo qoftë ai, nga cilado palë, do të mbajë përgjegjësi”, u shpreh Braho.

Në lidhje me mundësinë e një kërkese të re për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kreu i SPAK tha se nuk mund të komentojë një çështje konkrete.

“Prokuroria ka qenë e qartë për atë që ka kërkuar, por sot nuk mund të vlerësoj apo rivlerësoj qëndrimin e Kuvendit për një kërkesë të caktuar. Është një çështje konkrete. Ndoshta në një moment të mëvonshëm, në vijim të hetimeve, prokuroria do të ketë një vendimmarrje përkatëse, por sot nuk mund të komentoj për këtë çështje. Prokuroria e ka pasqyruar në diskutimin me dyer të mbyllura se çfarë ka kërkuar dhe është i qartë edhe reagimi i saj pas vendimmarrjes së Kuvendit”, deklaroi Braho.

I pyetur për dosjen “Aruba”, Braho theksoi se SPAK nuk i emërton dosjet dhe se çdo provë trajtohet sipas ligjit.

“Ne nuk i etiketojmë dosjet me emërtime. Nuk dua të ndalem te çështje konkrete, pasi është një çështje që është ende në hetim. Ju garantoj se nuk mund të ndodhë në SPAK që të ketë një provë në një dosje dhe ajo provë të lihet në gjumë. Ndonjëherë thuhet apo flitet ndryshe, por këto janë hamendësime dhe opinione”, tha ai.

Duke komentuar deklaratat politike për punën e institucionit, Braho ritheksoi se SPAK nuk ndikohet nga qëndrimet e palëve politike.

“Nuk i komentojmë komentet politike të asnjë pale dhe të asnjë personi. E kemi treguar edhe në çështje të mëparshme se për SPAK të gjithë janë të barabartë para ligjit”, përfundoi kreu i SPAK.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME