Klajda Gjosha rikthehet te “Hasan Prishtina” ,shkolla e saj fillore ,një udhëtim emocional aty ku ju formësuan ëndrrat e të ardhmes

Në një kohë kur ritmi i jetës, stresi dhe monotonia na shtyjnë të ecim pa u ndalur, ish-ministrja Klajda Gjosha zgjedh të kthehet pas në kohë ,jo nga nostalgjia, por nga mirënjohja. Në një postim të ndjerë në rrjetin e saj social Facebook, ajo ndan emocionet e forta të rikthimit në shkollën e saj të fillores, “Hasan Prishtina”, si pjesë e një projekti të bukur të ndërmarrë nga Shkolla e Drejtorëve për të risjellë në jetë historinë e kësaj vatre arsimi.

Vizita u shndërrua në një udhëtim shpirtëror. Klasa ku hodhi hapat e parë të dijes, bankat e fëmijërisë, zërat e dikurshëm të shokëve e shoqeve ,të gjitha u kthyen si kujtime të gjalla, të mbushura me emocione. Gjosha kujton me respekt të veçantë mësuesen e saj të parë, rolin vendimtar që ajo pati në formimin e karakterit dhe vlerave, si dhe momentet e bukura e të vështira që, së bashku, ndërtojnë njeriun e sotëm.

Në postimin e saj, ajo shpreh mirënjohje të thellë për katër mësuese të përkushtuara ,Valbona Ajdini, Albana Brozi, Ana Ballo dhe Leonora Doçi ,të cilat, me pasion e përkushtim, po punojnë për hartimin e librit të historisë së Shkollës “Hasan Prishtina”. Një histori e ndërtuar nga breza nxënësish dhe mësuesish, që dëshmon se arsimi është një zinxhir vlerash që nuk këputet kurrë.

Ky rikthim te rrënjët hedh dritë edhe mbi rrugëtimin akademik dhe profesional të Klajda Gjoshës. E diplomuar në vitin 2006 me titullin Master në Studime Europiane dhe më herët Bachelor në Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Reading në Mbretërinë e Bashkuar, ajo ka ndërtuar një karrierë të gjerë në shërbim publik. Që nga përfundimi i shkollës së mesme në nivel të avancuar në Kolegjin Strode, e deri te funksionet drejtuese në Bashkinë e Tiranës, Drejtorinë Rajonale të Punësimit, Agjencinë Kombëtare të Turizmit, si dhe përvoja ndërkombëtare në Parlamentin Europian dhe organizma të tjerë prestigjiozë, rrugëtimi i saj dëshmon përkushtim dhe vizion.

Në vitin 2013, Klajda Gjosha u zgjodh Ministre e Integrimit Europian e Republikës së Shqipërisë, duke i dhënë zë një Shqipërie që synon të ecë përpara me dije, vlera dhe identitet të fortë europian.Rikthimi në “Hasan Prishtina” nuk është thjesht një vizitë simbolike. Është një kujtesë se suksesi nis nga banka e shkollës, nga mësuesit që besojnë dhe nga kujtimet që na mbajnë njerëzorë. Një mesazh i qartë ,për të ecur përpara, duhet herë pas here të kthehemi aty ku gjithçka nisi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME